Lajme

Arifi: Po harrojmë që VV ka votuar kundër përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur

By GAZETA SCANNER

September 18, 2024

Opinionisti Avni Arifi deklaroi se kryeministri Albin Kurti dikur ka qenë kundër çdo procesi dhe se partia e tij ka votuar edhe kundër përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.

Sipas Arifit, nga një intervistë e presidentes ka kuptuar mes rreshtash se Kosova mund të përjashtohet edhe nga Procesi i Berilinit.

“Në Parlamentin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka votuar kundër përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur. Në Parlamentin e Kosovës Lëvizja Vetëvendosje ka votuar kundër MSA-së. Por harrohen këto gjëra, nuk po kthehemi shumë, edhe pse ka tendencë thjesht me ja u përkujtu qëndrimet”, deklaroi ai në Rubikon të Klan Kosovës.

Arifi tutje shtoi se ne shqiptarët jemi populli i vetëm në Evropë që e dimë më së miri çka të ndodhë nga izolimi dhe se çdo politikë që e izolon Kosovën nga çdo proces, edhe nëse dalin disa numra interesantë, ne jemi humbësi.

“Proces i Berlinit nuk është që do të na dëmtojë vetëm nga temat sektoriale, por Kosova si një vend i izoluar po e vetëkrijon njëfarë edhe imazhi shumë të keq te bizneset gjermane, te bizneset evropiane. Një biznesmen serioz kurrë nuk interesohet për një vend pa u interesuar së pari se cili është pozicioni i shtetit tim ndaj tij”.

“Kosova e përjashtuar nga procesi i Berlinit, po e them kushtimisht, edhe në intervistën e presidentes unë e pashë një siguri mes rreshtave, ajo ishte e bindur, mund të jem gabim, por e pata një bindje që ajo po e di që kanë për të na përjashtuar nga procesi i Berlinit”, deklaroi Arifi.