Lajme

Arifi për UA të MAPL-së për rrëzimin e krerëve të komunave: Po ndërhyhet në të drejtat e kryetarëve

By GAZETA SCANNER 1

August 31, 2023

Njohësi i qeverisjes lokale, Qëndrim Arifi, ka folur për draft-udhëzimin administrativ të propozuar nga qeveria i cili do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në veri.

Arifi tha se është draft-udhëzimi administrativ i propozuar nga qeveria është shqetësues për kryetarët që udhëheqin me komunat në veri, pasi sipas tij, po ndërhyhet në të drejtat e tyre legjitime.

“Mos të harrojmë se ky draft-udhëzim ka edhe dispozita ku iniciativën qytetare e kufizon në 30 ditë. Pra ata kanë vetëm 30 ditë afat që ta iniciojnë largimin e një kryetari”.

“Pra, më sa duket, komisioni ka shkuar në versionin që mospajtimi me një kryetar të caktuar mund të jetë i vrullshëm, pa harruar që mandati është 4-vjeçar”, tha Arifi në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se edhe më shqetësuese është çështja, që sipas tij, udhëzimi administrativ nuk do të gjejë zbatim në terren.

“Ajo që është më shqetësuese është që ky udhëzim administrativ nuk do të gjejë zbatim dhe ndoshta jemi duke shkuar në atë linjën që qeveria po blen kohë, duke thënë se ‘ja unë po mundohem, po nxjerri akte administrative, ndërsa nuk mund ta organizojmë si proces’”, tha ai.