Botë

Anketimi: Shumica e amerikanëve dëshirojnë rolin drejtues të Shteteve të Bashkuara në skenën globale

By GAZETA SCANNER 1

December 08, 2024

Shumica e amerikanëve dëshirojnë që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin në skenën globale me një ushtri të fortë. Një shumicë dërrmuese e tyre dëshirojnë që të rriten shpenzimet për mbrojtjen kombëtare, sipas Anketës më të fundit “Reagan” për Mbrojtjen Kombëtare.

Pavarësisht se amerikanët zgjodhën një president i cili kandidoi me një axhendë “Amerika e Para”, që fokusohej në çështjet e brendshme, duke filluar nga ekonomia amerikane dhe deri tek sigurimi i kufirit jugor të vendit, 57% e të anketuarve thanë këtë vit se dëshironin t’i shihnin Shtetet e Bashkuara më të angazhuara dhe me rol më të madh drejtues për zhvillimet ndërkombëtare, krahasuar me vetëm 42% një vit më parë.

Gati 80% e amerikanëve të anketuar mbështesin rritjen e shpenzimeve qeveritare për ushtrinë amerikane, një rritje e lehtë nga viti i kaluar. Rritja e shpenzimeve ushtarake u rendit mbi disa nga prioritetet e tjera të politikës së jashtme amerikane, si promovimi i lirisë jashtë vendit (61%) dhe dhënia e ndihmave për vendet e tjera (43%).

“Anketat e Mbrojtjes Kombëtare ‘Regan’ tregojnë edhe një herë se amerikanët nuk janë pacifistë dhe ne nuk jemi izolacionistë. Ne duam një qeveri federale që u shërben interesave amerikane dhe mbron vendin tonë”, i tha Zërit të Amerikës të premten Bradley Bowman, anëtar i bordit këshillimor për anketimin dhe drejtues në Qendrën për Fuqinë Ushtarake dhe Politike, në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Instituti Ronald Reagan ka bërë anketime të opinionit publik amerikan mbi sigurinë kombëtare gjatë gjashtë viteve të fundit dhe anketimi i fundit, i publikuar të enjten, përfshiu një masë dypartiake prej rreth 2,500 amerikanësh, të cilët u anketuan dy ditë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Shumica e të anketuarve thanë se mbështesin vazhdimësinë e mbështetjes amerikane të sigurisë për Ukrainën dhe lejimin e Ukrainës që të përdorë armatimet amerikane për të goditur brenda Rusisë. Gati 60% e të anketuarve besojnë se konflikti Rusi-Ukrainë do të përfundojë me negociatat e Ukrainës për paqen, edhe nëse kjo do të thotë heqjen dorë nga një pjesë e territorit të saj sovran.

Mbështetja për Ukrainën ndryshonte gjerësisht nga radhët e votuesve për kandidaten demokrate, Nënpresidenten Kamala Harris, krahasuar me votuesit për kandidatin republikan, Presidentin e zgjedhur Donald Trump, me 74% të votuesve të zonjës Harris në mbështetje të dërgimit të ndihmës, krahasuar me vetëm 42% të votuesve të zotit Trump.

Një shumicë dërrmuese prej 80% e shikon Rusinë si kundërshtare.

Për Izraelin, 54% e të anketuarve mbështetën vazhdimin e ndihmës së Shteteve të Bashkuara, por amerikanët rezultuan të ndarë, 45% me 45%, nëse Izraeli ka të drejtën të vazhdojë operacionet ushtarake, apo nëse aksioni ushtarak i Izraelit në Gazë ka zgjatur mjaftueshëm dhe duhet të kalohet në një armëpushim.

Vetëm rreth gjysma e të anketuarve mendojnë se Shtetet e Bashkuara do të mbizotërojnë në një konflikt me Kinën, me pothuajse të njëjtin numër që mendon se Kina është kërcënimi më i madh për Shtetet e Bashkuara.

Nëse Kina pushton Tajvanin, gati tre të katërtat e të anketuarve thanë se Shtetet e Bashkuara duhet ta njohin zyrtarisht Tajvanin si një vend të pavarur. Dy të tretat bien dakord që Shtetet e Bashkuara duhet të përgjigjen me sanksione ekonomike ndaj Kinës dhe mbi gjysma (56% e të anketuarve) mbështesin dërgimin e më shumë pajisjeve ushtarake në Tajvan, si dhe dërgimin në këtë rajon të më shumë njësive ushtarake, si aeroplanmbajtëset.

Shumica e amerikanëve të anketuar besojnë se ushtria amerikane duhet të jetë e madhe mjaftueshëm për të fituar dy luftëra që mund të zhvillohen në të njëjtën kohë./VOA/