Botë

Anketa: Vetëm 4 për qind e Koreano-jugorëve do të paguanin më shumë për trupat amerikane

Shumica e Koreanë-jugorëve kundërshtojnë thirrjet e administratës së Presidentit Donald Trump për të paguar më shumë para për trupat amerikane të stacionuara në këtë vend, sipas rezultateve të një ankete. Vetëm 4 për qind e të të anketuarve u përgjigjën se Seuli duhet t’i përmbush kërkesat e ShBA-ve ndërsa një çerek e tyre sugjerojnë se më parë do të refuzonin të paguanin se sa të negocionin.

Anketa e 1,000 të rriturve Koreanë-jugorë, e kryer nga ‘Hankook Research’ këtë muaj në emër të Këshillit për Çështje Globale, zbuloi se një shumicë e Koreano-jugorëve preferojnë më shumë një rritje relativisht modeste të shpenzimeve për trupat amerikane, se sa një rritje shumë substanciale të fondeve të kërkuara nga administrata Trump.

Të dhënat treguan gjithashtu se nëse nuk ka ndonjë marrëveshje ndërmjet Uashingtonit dhe Seulit për koston e trupave, një shumicë të vogël e Koreano-jugorëve preferojnë zvogëlimin e numrit të trupave amerikane në Korenë e Jugut, ndërsa, rreth 1 në 10 u deklaruan në favor të largimit të trupave amerikane nga vendi.

Të dhënat e nxjerra paraqesin një dëshmi më shumë se si ndarja e kostos për stacionimin e trupave amerikane në këtë vend është shndërruar në pikë tensioni midis dy aleatëve, përkundër marrëdhënies së tyre të gjatë ushtarake dhe përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë së Koresë Jugore për t’i lehtësuar bisedimet ndërmjet ShBA-ve dhe Koresë së Veriut.

Por Presidenti amerikan Donald Trump, i cili prej kohësh është ankuar se disa vende po përfitonin nga ushtria amerikane, i është rikthyer vazhdimisht çështjes që ndërlidhet me koston e stacionimit të 28,500 trupave amerikane në Korenë Jugore, të cilën ai e përshkroi si ‘një komb shumë i pasur’ që mund të përballonte shpenzime më të mëdha.

Administrata e Trump kërkoi nga Koreja Jugore ta rrisë kontributin në financimin e trupave me pesëfishin e shumës aktuale, në afro 5 miliardë dollarë, sipas zyrtarëve të të dyja palëve. Kjo shumë ka shkaktuar polemikë të konsiderueshme në Korenë Jugore, ku bisedimet me zyrtarët amerikan dështuan në nëntor, ndërsa raundi tjetër i bisedimeve pritet të fillojë këtë javë.

Anketa zbuloi se shumica e Koreano-jugorëve, 94 për qind prej tyre, i konsiderojnë marrëdhëniet e vendit të tyre me ShBA-të si kyçe për sigurinë e tyre kombëtare, një përqindje larg më e madhe sesa vendeve të tjera të testuara në anketë (përfshirë Korenë Veriore, të cilën 83 për qind e Koreano-jugorëve e konsiderojnë të rëndësishme).

Koreano-jugorët priren t’i shohin pozitivisht marrëdhëniet e vendit të tyre me ShBA-të, ku 92 për qind mbështesin aleancën dhe 62 për qind favorizojnë lidhje edhe më të ngushta me ShBA-të edhe nëse një gjë e tillë dëmton marrëdhëniet me Kinën. Vetëm rreth ¾ e Koreano-jugorëve preferojnë stacionimin afatgjatë të trupave në vendin e tyre.

Megjithatë, vetëm një numër relativisht i vogël pajtohen me kërkesat amerikane. 26 për qind thanë se vendi duhet të refuzojë çdo rritje të kostos, dhe 68 për qind thanë që Koreja Jugore duhet të negociojë një kosto më të ulët. Një pakicë prej 4 për qind thanë që Koreja Jugore duhet t’i përmbushë plotësisht kërkesat amerikane.

Koreja Jugore ra dakord në fillim të këtij viti për të paguar rreth 890 milion dollarë në emër të kostos së stacionimit të trupave amerikane në vend, duke arritur kështu në afërsisht 40 për qind të shpenzimeve ditore për këto trupa. KJ gjithashtu siguron tokë pa pagesë për trupat amerikane dhe pagoi pjesën më të madhe të kostos prej 10.7 miliardë dollarë për ndërtimin e bazës së re ushtarake, Camp Humphreys.

Sipas sondazhit, 41 për qind e Korejano-jugorëve argumentuan se vendi i tyre nuk duhet të paguajë më shumë se 1.7 miliardë dollarë, diçka më pak se dyfishi i asaj që paguan aktualisht, por shumë më pak se 5 miliardë dollarë që i kërkon administrata Trump.

Nga anketat e publikut amerikan është parë së shumica e të anketuarve mbështesin qëndrimin e trupave amerikane në këtë vend. Një anketë tjetër e Këshillit të Çikagos, e kryer në fillim të këtij viti, zbuloi se 51 për qind e amerikanëve dëshironin t’i mbanin trupat tokësore në Korenë Jugore, ndërsa 58 për qind ishin në favor të përdorimit të trupave amerikane nëse Koreja Veriore pushton atë jugore.

Anketa e Këshillit të Çikagos me të rriturit Korejano-jugor u krye në periudhën 9-11 dhjetor, me 1,000 të anketuar, të moshës 19 vjeç e më të vjetër.