Për më shumë se pesë vite punoi në dialogun Kosovë – Serbi.
Kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell do i skadojë mandati në vjeshtën e këtij viti.
Angazhimi i tij po shihet si joproduktiv përgjatë këtyre viteve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ish-ambasadori kosovar në Gjermani, Blerim Canaj thotë se mbetet të shihet se kush do ta udhëheqë këtë proces dhe nga kjo varet se a do të ketë sukses.
“Ta shohim së pari se çfarë strukture do të vije në të ardhmen e afërt dhe ta shohim gjithashtu se kush do të jetë pastaj fasilitatori në mënyrë që pastaj të mund të japim një vlerësim për atë se a do të mund të kryhej ndonjë punë më shumë sesa akterët aktualë që kanë qenë fasilitatorë të dialogut”, tha Canaj.
Kurse njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku thotë se Borrell ka qenë njohës jo i mirë i këtij procesi dhe rrethanave politike.
Sipas tij, ai ka dështuar në punën e tij si kryediplomat i BE-së për shumë arsye.
“Ka qenë vazhdimisht i paragjykuar nga Kosova për shkak se ka ardhur nga një shtet që se ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka pasur një mbështetje të madhe të shteteve anëtare të BE-së që e ka bërë edhe më krucial si me thënë dështimin e tij në udhëheqjen e politikës së jashtme jo vetëm në rastin e Kosovës por edhe me rastin e luftës në Ukrainë”, tha Sadiku.
Më 26 qershor pritet të takohen kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq në Bruksel për të diskutuar mbi zbatimin e marrëveshjes bazë.
Nga ky takim është vlerësuar se nuk pritet të ketë ndonjë produktivitet për shkak të fazës transitore që është BE me rastin e zgjedhjeve brenda institucioneve të saj. /Tëvë1/