Lajme

Anëtarët e Prokurorisë kundër Korrupsionit betohen para Metës

Në Institucionin e Kryetarit të Shtetit u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit para presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së, shkruan TCh.

Ndërkohë për këtë Soreca ka shkruar në Twitter: “Ne mirëpresim betimin sot për 8 prokurorët e SPAK para Presidentit. Tani ata janë gati për të filluar punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi. Lufta kundër # korrupsionit dhe # krimit të organizuar është përparësia kryesore për Shqipërinë në rrugën e # anëtarësimit në BE”.