Gjatë rrugëtimit për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës, Kosova duhet t’i plotësojë disa kushte e njëra nga to është prona e Manastirit të Deçanit. Për këtë çështje ka folur edhe raportuesja për Kosovën në BE, Viola Von Cramon, e cila ka thënë se nuk është e lehtë që deputetët në KiE, të marrin vendim, nëse vendimi për pronën e Manastirit të Deçanit nuk fillon të zbatohet nga institucionet e Kosovës.
Për këtë çështje në ‘RTK Prime’, Nora Visoka-Weller, studiuese e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ka thënë se në parim vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, që është me rëndësi për BE-në, sepse dëshmon se Kosova i çon përpara principet e veta kushtetuese dhe shtetërore.
Sipas saj, Kosova nuk është një objekt të cilin e shikojnë nga larg, por shtet i njerëzve të saj ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe minoritete të tjera.
Për Visoka-Weller është ekzagjerim nëse vihet në pyetje ekzistenca e Kosovës në raport me një objekt të trashëgimisë kulturore, siç është Manastiri i Deçanit.
Ajo ka theksuar se Manastiri i Deçanit nuk duhet të jetë kusht për anëtarësim në KiE, sepse është çështje që mund të zgjidhet shumë lehtë në administrimin e pushtetit lokal dhe me komuniteti përreth Manastirit.
“Kisha Serbe që nga paslufta nuk ka komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë e në mënyrë të sinqertë me autoritetet lokale, me komunitetin përreth, por edhe me Qeverinë e Kosovës, me cilëndo qeveri”, ka deklaruar ajo.
Duke komentuar deklaratën e Von Cramon për Manastirin e Deçanit, Visoka-Weller ka konsideruar si politizim të Kishës Ortodokse Serbe.
Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me Manastirin e Deçanit, tha se kjo çështje ka avancuar pas kërkesës së vendit tonë për anëtarësim në KiE, që, sipas tij, është avancim negativ, për shkak se çdo gjë po bëhet me presion.
Kryeziu më tej sqaroi se vendimet që i merr Gjykata Kushtetuese ato bëhen ligje që duhen zbatuar.
“Vendimet që i merr Gjykata Kushtetuese, bëhen ligje dhe duhen zbatuar. Autoritetet e shtetit kanë detyrë kushtetuese e ligjore për t’i zbatuar. Nuk ka alternativë tjetër”, deklaroi Kryeziu.
Sipas tij ky është një kushtëzim që po i bëhet Kosovës në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
Kurse profesori Flamur Hyseni tha se Kosova ka kryer punën e saj në aspektin juridik, por se, sipas tij, në aspektin faktik gjendja qëndron pak më ndryshe. Ai kritikoi qasjen si jo të duhur të disa diplomatëve evropianë, sidomos eurodeputeten Von Cramon, lidhur me deklaratën e saj për Manastirin e Deçanit, që, sipas tij, është paraprijëse e temave politike.
Ndërkaq, Shkodran Imeraj, historian, theksoi se çështja e Manastirit të Deçanit nuk do të jetë “kusht” për anëtarësim në KiE, sepse, sikundër tha ai, një presion i tillë ka qenë edhe më i hershëm, teksa kujtoi kohën e liberalizmit të vizave, kur bëheshin presione me deklarata të ngjashme, si kjo e tashmja.