Lajme

Ambasadori italian në Beograd: Nuk është koha e duhur që Kosova të hyjë në KiE

By GAZETA SCANNER 1

May 08, 2024

Ambasadori italian në Beograd, Luca Gori ka vlerësuar sonte se ende nuk ka ardhur koha për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi se për një gjë të tillë është i domosdoshëm përparim thelbësor në formimin e Asociacionit.

“Ky është qëndrimi që ka mbajtur Italia së bashku me Francën, Gjermaninë dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe këtë po përpiqemi ta arrijmë në Strasburg”, ka theksuar Gori për “Tanjug” në lidhje me kërkesën për shtyrjen e vendimit të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës.

Ambasadori shtoi se qëndrimi i Italisë është shumë i qartë dhe se Roma beson se AKS-ja është një element kyç për procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Prandaj jemi të bindur se nëse nuk ka progres substancial në lidhje me këtë qëllim, nuk është koha e duhur për t’u marrë apo për të vënë në agjendë çështjen e kandidaturës së Kosovës për Këshillin e Evropës”, ​​tha ambasadori italian.

I pyetur për hapat që po ndërmerr Italia për të vonuar anëtarësimin e Kosovës në KiE, ambasadori Gori kujton se tashmë janë ndërmarrë hapa në Strasburg në koordinim me vendet e tjera anëtare të BE-së.

“Ne po mundohemi të inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të bëjnë përparim në çështjen e Asociacionit, por deri më tani nuk kemi parë ndonjë përparim”, tha Gori, dhe ritheksoi se qëndrimi i Italisë është se nuk është ende momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në KiE.