Lajme

Ambasada e ShBA-së në Prishtinë s’ndërron qëndrim në dialog

By GAZETA SCANNER 1

June 14, 2024

Për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Serbisë vazhdimisht ju është kërkuar zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Por të enjten, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të.

Por ndryshe thotë ambasada amerikane në Prishtinë.

Në një përgjigje për Tëvë1, thuhet se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar, ndërsa theksohet se pa zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, nuk do të ketë të ardhme për dy vendet në strukturat evropiane.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie të normalizuar, paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve. E ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane; normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara”, thuhet në përgjigje.

Tutje në përgjigje bëhet e ditur se synimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është njohja e ndërsjellë e dy vendeve.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha angazhimet e tyre të Dialogut plotësisht dhe pa vonesa apo parakushte. Synimi afatgjatë i politikës së Shteteve të Bashkuara është njohja eventuale e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, siç e kemi njohur që nga viti 2008”.

E reagim për këto deklarata të Hillit, ka pasë edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në një postim të bërë në rrjetin social X, i është kundërpërgjigjur ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, i cili kishte deklaruar se Serbia nuk duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Rohde ka cituar deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Kosovë, në qershor të vitit 2022, i cili kishte deklaruar se është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së.

“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor të vitit 2022 për normalizimin, përfshirë njohjen reciproke. Kjo qëndron ende. Rruga është aty. Zbatim i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, tha Scholz.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka thënë se pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovës, Serbia nuk do të avancoi drejt rrugës për në BE.