Lajme

Ambasada e ShBA-së në Moskë i paralajmëron amerikanët për sulme ekstremiste

By GAZETA SCANNER 1

March 08, 2024

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë i ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që t’i shmangin tubimet e mëdha në kryeqytetin rus për shkak të atyre që tha se janë raportime që ekstremistët kishin plane të menjëhershme për një sulm.

Kjo ambasadë, e cila vazhdimisht u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë që të largohen nga Rusia menjëherë, nuk dha hollësi të mëtejme për natyrën e rrezikut, port ha se njerëzit duhet t’i shmangin turmat dhe të jenë të vetëdijshëm për mjedisin përreth tyre, raporton agjencia “Reuters”.

“Ambasada është duke i vëzhguar raportimet se ekstremistët kanë plane të menjëhershme për të shënjestruar tubime të mëdha në Moskë, për të përfshirë koncerte, dhe shtetasit e ShBA-së duhet të këshillohen që të shmangin tubime të mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme” – thuhet në porosinë e ambasadës, të publikuar në uebfaqen e saj.

Lufta në Ukrainë e ka nxitur krizën më të thellë në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që nga Kriza Kubane e Raketave më 1962 dhe Putini ka paralajmëruar se Perëndimi rrezikon që të provokojë luftë bërthamore, nëse dërgon trupa për të luftuar në Ukrainë.

Kremlini thotë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kurrë më të këqija dhe se ShBA-ja po Lufton kundër Rusisë përmes furnizimit të Ukrainës me të holla, armë e inteligjencë.