Lajme

Ambasada e Francës: Mesazhi i Macron ishte miqësor dhe i qartë, që ka shumë për t’u humbur për Kosovën e Serbinë

By GAZETA SCANNER 1

September 08, 2023

Një deklaratë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e thënë gjatë një fjalimi para ambasadorëve francezë nëpër botë, ka nxitur shqetësime se liberalizimi i vizave mund të shtyhet, nëse Kosova dhe Serbia s’veprojnë me përgjegjësi karshi dialogut për normalizim të raporteve dhe gjendjes në veri.

Ambasada e Francës në Prishtinë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë thënë se deklarata e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, është shumë e qartë, me shikimin përpara dhe që nënvizon perspektivë pozitive, përfshirë edhe zgjerimin.

Tutje në përgjigjen për Gazetën Express, nga Ambasada e Francës në Prishtinë thonë se deklarata e presidentit të Francës është një mesazh miqësor dhe i vendosur që tregon për të dy vendet se ka shumë për t’u humbur.

Ambasada e Francës gjithashtu ka theksuar se Parisi zyrtar mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe pret nga të dy palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive. Kjo kanë thënë se padyshim përfshinë Kosovën, prej të cilës Franca pret edhe masat e de-eskalimit.

“Franca mbështet plotësisht lehtësimin evropian dhe pret nga të dy palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog. Kjo përfshinë padyshim edhe Kosovën, prej të cilës ne gjithashtu presim masat e de-eskalimit. Qëndrimi i presidentit Macron ishte shumë i qartë dhe ne iu inkurajojmë juve që ta shikoni atë në tërësinë e tij: është me shikim përpara, nënvizon një perspektivë pozitive, përfshirë zgjerimin, dhe është një mesazh miqësor dhe i vendosur për të dy vendet, që ka shumë për t’u humbur”, kanë thënë nga Ambasada e Francës, duke bashkëngjitur edhe pjesën e fjalimit të presidentit Macron të dhënë më 28 gusht.