Shëndeti

Alkooli, përgjegjës për dëmtimin e trurit, zemrës e mëlçisë

By GAZETA SCANNER

July 07, 2023

Gjithnjë e më tepër “alkooli”, po shndërrohet në një mik besnik edhe për shqiptarët. Ndonëse flitet shpesh për dëmet e alkoolit në shëndet,ky fakt nuk e pengon aspak kthimin e disa gotave edhe mbi normat e lejuara. Shifrat e raportuara nga autoritetet shëndetësore tregojnë se pavarësisht dëmeve ndaj të cilave ekspozohen, shqiptarët duket se i qëndrojnë më besnik faktit se kthimi i vazhdueshëm i disa gotave, nuk bën dëm.

Ndërkohë që në të vërtetë një teori e tillë vetëm sa shton varësinë e tyre ndaj alkoolit, e për pasojë edhe dëmet në shëndet. Po sipas autoriteteve shëndetësore, tashmë edhe në radhët e shqiptarëve, po shtohet numri i pirësve të rregullt të alkoolit, kategorie e cila kapërcen në kufijtë e alkool-pirjes abuzive.

Megjithatë, për të shpëtuar nga problemet shëndetësore nuk është e thënë që të shmangim rreptësisht pirjen e alkoolit. Kthimi i ndonjë gote nuk është gjithmonë i rrezikshëm. Në një intervistë për gazetën “Dita” Roland Shuperka, Kordinator Kombëtar për Politikat e kontrollit të Alkoolit, tregon se kujdes duhet të kemi ndaj pirjes abuzive të alkoolit, për të mos fituar varësi. Në vijim, Shuperka detajon për lexuesit e “Ditës”, problemet që shfaqen në shëndet nga përdorimi i tepruar i alkoolit, si dhe kategoritë që duhet të jenë më të kujdesshme që të shpëtojnë nga kthetrat e varësisë alkoolike.

Çfarë është alkoolizmi?

Alkoolizmi, i njohur edhe si vartësia nga alkooli, është një sëmundje e cila përfshin katër simptomat e mëposhtme: “Dëshirë e papërmbajtur për të pirë. Humbje e kontrollit, pra të mos jesh në gjendje të ndalosh të pirën nëse ke filluar. Vartësi fizike. Simptomat e tërheqjes prej tij si ndjenja e të vjellës, djersitje, dridhje, ankth pas ndalimit të të pirës. Toleranca, nevoja për të pirë sasira gjithnjë e më të mëdha alkooli për të ardhur në “qejf”.

A është alkoolizmi një sëmundje?

Po, alkoolizmi është një sëmundje. Dëshira e papërmbajtur për të pirë alkool mund të jetë aq e fuqishme sa edhe ajo për ujë apo bukë. Një alkoolik do të vazhdojë të pijë pavarësisht nga problemet familjare, legale apo shëndetësore Si shumë sëmundje alkoolizmi është kronik, që do të thotë se ai mund të zgjatë gjatë gjithë jetës së një personi. Zakonisht ai ndjek një ecuri të parashikueshme dhe ka simptomat e veta. Risku për t‘u bërë alkoolist varet si nga gjenet ashtu edhe nga mënyra e jetesës së personit.

A trashëgohet alkoolizmi?

Në fakt studimet tregojnë se alkoolizmi ka bazë familjare. Trashëgimia e gjeneve të një personi e shpjegon pjesërisht alkoolizmin, por edhe mënyra e jetesës është një faktor. Aktualisht po punohet për të zbuluar rolin e gjeneve në alkoolizëm. Shoqëria, stresi si dhe disponueshmeria e alkoolit janë faktorë të tjerë që rrisin riskun e alkoolizmit. Por mos harroni së risku nuk është një fat. Kjo nuk do të thotë se domosdoshmërish fëmija e një alkoolisti do të bëhet alkoolist. Disa njerëz bëhen alkoolistë edhe pse në familjet e tyre nuk ka pasur fare probleme të alkoolit. Por duke e ditur se ju jeni nën risk, është një gjë e mire që ju ndihmon për të mbrojtur vetën që mos të bëheni alkoolist.

A mund të kurohet alkoolizmi?

Jo. Në stadin aktual alkoolizmi nuk mund të kurohet. Edhe pse alkoolisti mund të ketë një kohë të gjatë që nuk ka pirë, ai prapë do të bjerë në një mëkat të ri-pirjes. Që të mos ndodhë kjo ai duhet të shmangë pijet alkoolike.

A mund të trajtohet alkoolizmi?

Po, alkoolizmi mund të trajtohet. Programet e trajtimit të alkoolizmit përdornin si këshillimin ashtu dhe medikamentet për të ndaluar pirjen e tij. Shumica e alkoolistëve kërkojnë ndihmë për të lënë alkoolin. Me mbështetje dhe trajtim shumë alkooliste ndalojnë të piren dhe fillojnë ndërtimin e një jetë të re.

Cilat medikamente e trajtojnë alkoolizmin?

Ka një seri medikamentesh që përdoren për trajtimin e alkoolizmit. “Valium” dhe “Librium” përdoren ndonjëherë gjatë ditëve të para pasi një person ndalon të pirët, për ta ndihmuar atë që të heqë dorë prej tij. Megjithatë këto medikamente nuk mund të përdoret pas kalimit të ditëve të para, pasi organizmi mësohet shumë shpejt me to. Medikamente të tjera përdoren që t‘i ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë esëll. Një medikament që përdoret për këtë qëllim është “ReVia”.

Kur kombinohet me këshillime të mjekut ai mund të ndihmoje në pakësimin e dëshirës së madhe për të pirë alkool ose mund ta pengojë një person që t’i kthehet përsëri të pirës së fortë. Një tjetër medikament është Antabuse që bën një dekurajim të të pirës, pasi e bën tjetrin të ndihet keq kur pi alkool.

Megjithatë nuk ka një ilaç magjik që mund të shërojë këdo dhe kurdo. Zhvillimi i medikamenteve të tilla po përbën një nga prioritetet bazë të atyre që merren me alkoolizmin.

A funksionon trajtimi i alkoolizmit?

Për shumë njerëz ai funksionon. Megjithatë si për shumë sëmundje kronike ai jep rezultate të ndryshme në vartësi të njeriut. Disa ndalojnë të pirën dhe qëndrojnë esëll. Disa kanë periudha të gjatë të të qe-nurit esëll me momente pirjeje. Ndërsa të tjerë nuk ndalojnë dot fare. Megjithatë një gjë është e qartë. Sa më gjatë një person qëndron pa pirë as më tepër mundësi ka që ai të mos bjerë pre i ripirjes.

A duhet të jesh alkoolist që të kesh probleme me alkoolin?

Jo. Alkoolizmi është vetëm një lloj i problemeve të alkoolit. Edhe abuzimi me alkool mund të jetë po aq i dëmshëm. Një person mund të abuzojë me alkoolin, pra ai mund të pijë shumë dhe shumë shpesh dhe të mos krijojë vartësi nga alkooli. Disa nga problemet që mund të sjellë ky abuzim janë mospërmbushja e punëve, shkollës ose përgjegjësive familjare, ndalimi nga policia duke i dhënë makinës i dehur, përplasjet me makinë dhe gjendje shëndetësore që lidhen me të pirën. Ndonjëherë edhe e pira në aktivitete sociale apo e pira e moderuar mund të jetë e dëmshme për shembull kur je shtatzënë ose kur nuk je mirë me shëndet.

A ka grupe specifike njerëzish më tepër mundësi të kenë probleme me alkoolin?

Abuzimi me alkool dhe alkoolizmi nuk duan t’ia dijë për gjininë, racën apo kombin. Megjithatë përgjithësisht ka më tepër gra sesa burra që varen nga alkooli ose kanë probleme me alkoolin. Problemet me alkoolin janë më të mëdha në moshën 18-29 vjeç dhe më të pakta në moshën mbi 65 vjeç. Gjithashtu dihet se njerëzit që e fillojnë alkoolin në mosha të hershme si 14 vjeç e më pak, kanë shumë mundësi që të kenë probleme me alkoolin gjatë jetës së tyre, sesa ata që e fillojnë më vonë

A mundet që një person me probleme të alkoolit ta reduktojë pirjen?

Varet. Nëse ai person është diagnostikuar si një alkoolik përgjigja është “jo” . Alkoolikët që tentojnë ta ulin dozën rrallë arrijnë sukses. Kursi më i mirë i shërimit është abstenimi ndaj alkoolit. Ndërsa njerëz të cilët nuk janë alkoolistë, por që kanë pasur probleme që lidhem me alkoolin mund t‘a reduktojë dozën e alkoolit. Nëse nuk e bëjnë dot këtë, atëherë ata duhet ta ndërpresin atë fare.

Cili është niveli i sigurte i të pirës?

Për shumicën e të rriturve përdorimi i moderuar i alkoolit deri në dy gota në ditë për burrat dhe një për gratë dhe të moshuarit shkakton pak ose aspak probleme.