Ballina

Aliu: Gjykata Speciale, projekt i Serbisë kundër Kosovës

By GAZETA SCANNER 1

December 22, 2023

Ministri Liburn Aliu në intervistën për RTK Prime ka thënë se Gjykata Speciale është projekt i Serbisë dhe kundër shtetit të Kosovës, por edhe kundër ndërlidhjes historike të Kosovës me luftën e saj për liri.

“Mos të harrojmë ne jemi sot si Kosovë falë luftës, dhe jemi ndërtuar si shtet në luftë e sipër, dhe kjo na bën krenar për identitetin tonë, krenaria mbi të kaluarën tonë”, tha Aliu.

Sipas tij një vend e një popull është lehtë ta tjetërsosh nëse ia këput lidhjet me historinë e vet.

Aliu theksoi se Kosova mbrohet duke mbrojtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne punojmë për të ndërtuar një shtet më të fortë dhe motivi për këtë është te kujtimi për shokët dhe njerëzit që kanë dhënë jetën për këtë punë. Tendenca për të na shkëputur nga e kaluara është tendencë për ta humbur të sotmen, për të goditur direkt në shtet. Mendoj se projekti i Gjykatës Speciale është projekt i Serbisë për ta goditur Kosovën, dhe e jona është ta mbrojmë Kosovën, duke e mbrojtur UÇK-në”, theksoi Aliu.