Kulturë

Albulena Bilalli e prezanton në Zagreb ekspozitën “Rrugëtimi i trashëgimisë ilire”

By GAZETA SCANNER 1

December 04, 2024

Albulena Bilalli ka prezantuar ekspozitën e saj “Rrugëtimi i trashëgimisë ilire”.

Kjo ekspozitë është organizuar për nder të 28 Nëntorit në Qendrën Kulturore Shqiptare, në Zagreb.

Autorja është shprehur e lumtur me prezantimin e veprave të saj.

Në profilin e saj në “Facebook”, Bilalli ka shkruar se kjo ekspozitë ishte një udhëtim artistik dhe arkeologjik, i cili e lidh trashëgiminë e pasur ilire me të tashmen.

Sipas saj, kjo lidhje bëhet përmes simboleve dhe monedhave të lashta të interpretuara në teknika të ndryshme grafike.

“Jam thellësisht e nderuar që pata mundësinë të prezantoj ekspozitën time personale, “Rrugëtimi i Trashëgimisë Ilire”, në Qendrën Kulturore Shqiptare në Zagreb. Një moment që shënoi edhe ekspozitën e parë të organizuar në këtë qendër të re dhe të rëndësishme për komunitetin shqiptar. E konceptuar për të përkujtuar Festën e Flamurit – 28 Nëntorin, kjo ekspozitë ishte një udhëtim artistik, arkeologjik dhe që lidhte trashëgiminë e pasur ilire me të tashmen, përmes simboleve dhe monedhave të lashta të interpretuara në teknika të ndryshme grafike. Qëllimi im ishte të përcjell rëndësinë e historisë sonë kombëtare dhe të ndaj me ju një pjesë të shpirtit të trashëgimisë sonë, nëpërmjet artit dhe industrisë grafike”, ka shkruar Bilalli.

Ajo ka falënderuar të gjithë ata që e mbështeten realizmin e ekspozitës së saj.

“Falenderime të sinqerta arkeologes dhe kuratores së ekspozitës, Dr.Sc. Marija Buzov, për kritikën e saj të vyer, profesionalizmin e spikatur dhe mbështetjen akademike të jashtëzakonshme. Kjo eksperiencë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e institucioneve dhe njerëzve që më kanë qëndruar pranë. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për: Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Kosovë, për mbështetjen institucionale dhe vlerësimin e këtij projekti, Organizatën “Shkëndija” në Zagreb, për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre në organizimin e kësaj ekspozite; Xstudio nga Prishtina, për mbështetjen profesionale në realizimin teknik dhe artistik të punimeve. Falenderoj gjithashtu të gjithë ata që vizituan ekspozitën dhe u bënë pjesë e këtij udhëtimi artistik dhe kulturor”, ka shkruar ajo.

Bilalli ka vlerësuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore është një detyrim ndaj të kaluarës dhe një dhuratë për të ardhmen.