Shkruan: Kimete Berisha
– Kur e kam bindur babën tim që ta votoj Albinin, më ka thënë: ‘Bijë, ne jemi të Drenicës, ti e di se neve na e kanë inat, ne duhet ta mbajmë njëri-tjetrin’.
– Në vend të përgjigjes ia kam dhënë emrat që duhet t’i votonte: E para Saranda, e dyta Vasfija; e treta Adriana, e katërta Donika, i pesti: Vitija.
– Me nanën kollaj. Ajo nuk ma ka prishur qejfin. Prandaj, unë i dua ata që më ‘lëmojnë’. Unë e di që ajo dashuri ‘me lëmime s’është e vërtetë (është zbukurim i dashurisë), por aq magjike më duket ajo ndjenjë, sa që e jap të vërtetën për të, përkohësisht.
S’janë as 3 veta që më marrin me të mirë ‘më lëmojnë’, fati im, se isha shkrirë. – Më pëlqen të shkrihem, e jo të thyhem.
– Sipas Shopenhauer-it, mua më pëlqen të zvogëlohem, se vetëm kur më ‘lëmojnë kokën’, ma ulin kokën. Dhe vetëm kur e ulë kokën e ndjehem e vogël – unë ndjehem mirë.
– Atëbotë, kur unë e çova peshë Mitrovicën dhe diasporën për Albin Kurtin, ai nuk kishte sekrete. – Lëre që nuk kishte sekrete, por ua interpretonte të gjithë kundërshtarëve edhe mendimet më të errëta.
– Prandaj, më pëlqente. Se dukej: shkollar por bandit; intelektual por rebel; filozof por popullor; më pëlqente se dukej edhe arrogant i krisur, i lirë, më i lirë se çlirimi. – Dhe Liria e bënte lider.
Unë i besoja shumë.
Tash, ku je? Nuk të gjej.
– E ka zbutur pushteti (ata që të lëmojnë – të zbusin), e shoh që mban sekrete me Serbinë, me evropianët, me krejt mëhallat e botës, e veç popullin e tij e privon nga e drejta për ta ditur fatin e tij, shkruar nga orakulli i Delfit.
A është e mundur? Është e mundur. E shihni vet, me Aleksandër Vuçiqin e mban sekret fatin e Kosovës në Asociacion.
– Albini u bë truproje e sekretit të përkohshëm, se ky sekreti i draftit të Asociacionit është sekret publik, sekret qesharak, i ndarë me krejt botën, përveç me t’shtëpisë…. se sikur të ishte sekret i përhershëm, nuk do t’i binte hise këtij.
– S’ka gajle që s’është fer, por nuk është punë e mençur të kesh sekrete.
Sekreti ta turbullon mendjen. Sekreti të rrudhë. Sekreti të bën të dyshimtë. Sekreti ta humb kreativitetin. Sekreti është tregues se Ti s’je i lirë.
Sekreti është i pamoralshëm. – I ke parë ato gratë e burrat e zënë në dy-a më shumë afera (ata i quajnë dashuri se janë të mjerë, nuk e dinë se dashuria është e lirë, nuk duron pushtet, nuk duron errësirë, nuk duron sekrete. …. Të ishte mollë e ndaluar – dashuria do të ishte mëkat… Po si mund ta dijë çka është dashuria njeriu i robëruar, i bodrumeve, i territ,… e i fshehtësive).
– I urrej sekretet…dhe befasitë. Sikur ta kisha një sekret, nuk do të mund të shkruaja të vërtetën, se për ta thënë të vërtetën duhet të jesh i lirë… e sekreti të frikëson, të shantazhon, të dirigjon…
Prandaj, Liria indkviduale vjen nga pastërtia.
– Albin! Ti duhet t’ia tregosh shoqes tënde (që nuk i gjendet shoqja), draftin e Asociacionit, jo për hatrin tim, por për të mirën tënde.
Ti nuk je truproje e sekreteve të përkohshme. Ata që kërkojnë nga ti t’ua ruash sekretin kundër popullit tënd, ata janë ‘askushi’, nuk janë liderë!
– Se asnjë opozitë, asnjë kundërshtar, asnjë armik nuk të ka dëmtuar më shumë se sa gabimi yt që ke pranuar të ndash sekrete me Aleksandër Vuçiqin, fshehur popullit tënd.
– Është grackë qesharake kjo, që të bën të përdorshëm, sepse as sekret nuk është, që thashë… sekreti të lidh me errësirën përgjithmonë, e në rastin tënd sekreti është fals.
– Anipse e kam ditur se shumë gjatë do të jesh në pushtet, unë kam shkruar pa pushim kundër teje (shpesh e kam tepruar, e di)… sepse vërtetë të kam besuar dhe vërtetë, me loçkë të zemrës jam zhgënjyer. …
Dhe e kam paguar shtrenjtë, në atmosferën e një vetmie kozmike.
– Unë ende jam aty ku kam qenë – shpesh vuaj, por Liria individuale më shëron! – S’di qysh…..ndodhi.., mbeta një idealiste budallaqe që kurrë s’u mbush mend!
– Por, ne mund të pajtohemi, nëse i përmirëson sjelljet.
– Dhe një ditë baba më tha: Krejt – krejt, por Donikën pse më the ta votoj. Kësaj here iu përgjigja: – Sepse gjithmonë më kanë mashtruar, Miftar (se unë kur hidhërohem i thërras njerëzit me emër e mbiemër).
– Por unë asnjëherë në jetë askënd nuk e kam mashtruar. Sepse, jam e lirë.
P.S. 25.11.2023. Borë. Sikurse gjuha e gojës, asnjë fjollë bore nuk është e njëjtë me tjetrën.
Kjo më jep pak ‘shpresë të ftohtë’, si ‘sarkazma e thatë’ që kurrë nuk arrij ta kuptoj.
– Për dashuri do t’ju shkruaj pasdite. Se përveç krizës së besimit, po e kaloj edhe një krizë të dashurisë.
Jam e pafajshme. – Nëse dal ta kërkoj Zotin që më ka humbur përpara syve, kam frikë se do ta humb rrugën e s’do të dijë të kthehem në shtëpi.
– Një fustani i kuq po thahët mbi telat e ngrohjes.
– Rrotat e dimrit i kam në hotel.
– Në prehër e kam librin e Veli Karahodës ‘Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit’. Por, e ndala leximin tek faqja 120, veç për një fjalë..
(Ky shkrim u shkrua për së dyti, sepse herën e parë shkrimi m’u ‘zhduk’ para syve… Veç kush e ka provuar e di çfarë po ndjej, e meqë jam fillikat vetëm, e s’pata kujt t’i qahem… nuk guxova t’i gjuhem vetes.
/oh….jo….mos….të lutem…jooo… e lypa në notes, nuk e gjeta, e qita një kafe… u mërzita pak dhe e shkruva prej fillimit, e vetëdijshme se ‘dy herë nuk hyhet në të njëjtin lum’).
– Ju dua -Ju urrej!