Lajme

Akuzat për dëbim të serbëve, “pushtimi”, kërcënimi i Vulinit: Propaganda në Serbi para fjalimit të Vuçiqit

By GAZETA SCANNER 1

September 13, 2024

Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka caktuar për sot në ora 18:00 një konferencë për medie, ku pritet të deklarohet rreth situatës mes shtetit që ai e drejton dhe Republikës së Kosovës. Tashmë është parë një aktivizim i propagandës kundër Kosovës, ku u përfshin zyrtarë të lartë të Serbisë, Rusisë e tabloide serbe. Mes të tjerash, Kosova është akuzuar për “dëbim të serbëve” e nxitje të luftës.

Deklarimin rreth situatës, Vuçiqi e kishte paralajmëruar pas takimit me Miroslav Lajçakun, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në 72 orët në vazhdim, do t’i adresohemi publikut dhe do të flas për atë se çka po kërkon dhe çka po pret Serbia” – kishte thënë Vuçiqi.

Kërcënimi i Vulinit

Para kësaj konference është bërë i gjallë edhe Aleksandar Vulin, zëvendëskryeministër i Serbisë, që ishte sanksionuar nga ShBA-ja për krim të organizuar. Në një deklaratë publike, Vulin nuk ngurroi të kërcënonte Kosovën.

Duke folur për situatën në Kosovë, Vulini tha se situata mund të eskalojë në çdo moment. Nëse eskalon, tha Vulini, “Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq”.

Situata në provincën jugore serbe – siç Vulini e quan Republikën e Kosovës v.j. – mund të eskalojë në cilindo moment. Kur dhuna përdoret kundër serbëve, është e pamundshme të pritet që secili, sidomos Serbia, do të qëndrojë duarkryq e të shikojë. Natyrisht se ne s’do të bëjmë ashtu” – ka thënë Vulini, transmeton Nacionale.

Spekulimi i tabloidëve…dhe Bërnabiqi

Natyrisht, tabloidet pro regjimit të Vuçiqit nuk kanë qëndruar duarkryq, duke degjeneruar në imagjinatë. Madje, “Kurir”-i, tabloid i njohur për gjuhën kundër shqiptarëve, ka spekuluar se në tavolinën e Vuçiqit është edhe mundësia për të deklaruar një “pjesë të territorit të Serbisë”, siç ky tabloid i referohet Kosovës, si të pushtuar.

Në të njëjtën valle të paralajmërimeve dhe spekulimeve dramatike ka hyrë edhe Informeri dhe B92, po ashtu mediume të afërta me regjimin e Vuçiqit.

Një hap më tutje ka shkuar Ana Bërnabiq, kryetare e Kuvendit të Serbisë. Bërnabiq ka bërë një akuzë të çuditshme në drejtimt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Bërnabiq e ka akuzuar Kurtin se dëshiron të fillojë një luftë.

Më duket se situata është më e rënda deri tani, sepse Albin Kurti nuk ka zgjidhje tjetër apo rrugëdalje për politikën e tij, përveç provokimit të një konflikti të armatosur, pra të një lufte me Beogradin…Ai është i shtyrë plotësisht pas murit dhe kjo është mënyra e vetme e tij për të dalë” – tha Bërnabiq, transmeton Euroneës.