Lajme

Aktivistët në Serbi, thirrje autoriteteve të reagojnë ndaj grafiteve “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”

By GAZETA SCANNER 1

August 17, 2023

Një grup aktivistësh për të drejtat e njeriut në Serbi u ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore të reagojnë menjëherë për shkak të shfaqjes së shpeshtë të grafiteve “Kur ushtria të kthehet në Kosovë…”.

Këto mbishkrime, nën të cilat është pikturuar flamuri i Serbisë, kanë filluar të shkruhen në Beograd dhe qytete anembanë Serbisë që muaji korrik.

Ato janë një reagim ndaj veprimit të aktivistëve të drejtave të njeriut që e kishin mbuluar me ngjyrë një mbishkrim të tillë në qendër të Beogradit në shkurt.

“Vërshimin” e grafiteve të reja këta aktivistë sot e vlerësojnë si rritje të gjuhës së urrejtjes.

“Jemi dëshmitarë të rritjes së jashtëzakonshme të gjuhës së urrejtjes. Nga ana tjetër po shohim reagim zero nga shteti”, tha Milena Beriq nga shoqata ‘Krokodil’.

Siç shkruan Evropa e Lirë (në gjuhën serbe) së shkurt, aktivistët, të organizuar nga ‘Krokodil’ dhe organizata joqeveritare Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut, e mbuluan me ngjyrë grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” në parkun e sheshit Slavija të Beogradit, transmeton Telegrafi.

Më pas, në fund të korrikut, grafiti i njëjtë u shfaq në disa lokacione në Beograd dhe qytete në mbarë Serbinë.

Grafitet ‘për inat të aktivistëve’

Në një nga kanalet në TikTok, i cili publikoi një video me grafite të vizatuara në vende të ndryshme, shkruhet se ata shfaqeshin “për inat të aktivistëve mercenarë pro-perëndimorë”.

Në videot në Tik Tok dhe Telegram, të rinjtë që shkruajnë grafitet e kanë fytyrën të mbuluar me maska.

Nisma Rinore dhe ‘Krokodil” kanë deklaruar se në një periudhë prej vetëm pak ditësh, gjatë muajit korrik, në të gjithë Serbinë janë shkruar mbi pesëdhjetë grafite me përmasa 40 metra katrorë me mbishkrimin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë…”

Shkrimtari Vladimir Arsenijeviq nga shoqata ‘Krokodil’ deklaroi se është e rëndësishme që të “deshifrohet” mesazhi “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një varg nga kënga popullore “Elbin e ka korrur vajza kosovare”, por për versionin e saj të përpunuar që është botuar në vitin 2011 në librin e Amfilohije Radoviqit, ish-mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe.

“(Kënga) u kthye në një vajtim militarist për kthimin e ushtrisë në Kosovë dhe rimarrjen e atyre pikave simbolike të rëndësishme për kulturën serbe në Kosovë”, tha Arsenijeviq, transmeton Telegrafi.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh.

“Krokodili” dhe Nisma Rinore deklaruan se grafitet janë vizatuar kryesisht nga tifozët e mbledhur rreth grupit të tifozëve ‘Delije Sever’, të klubit futbollistik të Beogradit Crvena Zvezda.

Grafitet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” nuk janë të nënshkruara.

Në kanalin Telegram të ‘Delije Sever’, në një postim të datës 15 gusht, thuhej se mbishkrimet për kthimin e ushtrisë në Kosovë “zbukuruan shumë mure anembanë Serbisë dhe do të vazhdojnë t’i zbukurojnë ato”.

Në atë njoftim thuhet se kërkojnë kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë për t’i ofruar siguri popullit serb.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj RF të Jugosllavisë.

Para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, zyrtarë të lartë serbë u dënuan për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë.

Në dhjetor 2022, Serbia i dërgoi një kërkesë KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, për kthimin e deri në 1000 ushtarëve dhe policëve të saj, transmeton Telegrafi.

Kjo kërkesë është dërguar, siç thonë autoritetet në Beograd, për shkak të pranisë së shtuar të policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Beogradi iu referua Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.

KFOR-i e refuzoi këtë kërkesë në fillim të janarit.

Mesazhi për kthimin e ushtrisë në ndeshje futbolli

Pankarta “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është vendosur më 26 korrik në ndeshjen e futbollit mes Crvena Zvezdes dhe Fiorentinës italiane në Beograd.

Tifozët krijuan edhe një koreografi ku shfaqej një tank dhe flamuri i Serbisë.

Në atë ndeshje ishte prezent edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Më 29 korrik, ai tha në TV Prva se fansat nuk mund të kishin zgjedhur një moment më të keq për të, për shkak të atij pankarti.

“Qytetarët e Serbisë e ndjejnë Kosovën si pjesë të Serbisë”, tha Vuçiq atëherë.

Sipas një sondazhi të Institutit për Çështje Evropiane të gushtit 2022, gjysma e të anketuarve në Serbi (49.9 për qind) besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën.

Serbia dhe Kosova po zhvillojnë një dialog për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e Bashkimit Evropian.

Në fund të shkurtit, të dyja palët pranuan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian dhe në prill u ra dakord për Aneksin për zbatimin e saj.

Partitë dhe lëvizjet e djathta në Serbi e kundërshtojnë këtë marrëveshje.

Aktivistët e të drejtave të njeriut deklaruan në konferencën për shtyp se shteti nuk bën asgjë për të sanksionuar rritjen e gjuhës së urrejtjes në hapësirën publike, por as vandalizmin e mureve në hapësirën publike.

Sofija Todoroviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut deklaroi se kundër aktivistëve janë paraqitur 25 kallëzime për shkak se ata kanë mbuluar me ngjyrë grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” në shkurt, transmeton Telegrafi.

“Ne nuk fshihemi, ne themi ‘do ta bëj këtë sot’ dhe ky është një ndryshim i madh mes meje si aktiviste dhe këtyre njerëzve që bëjnë gjëra të tilla nën terrin e natës”, tha ajo.

Në ndërkohë, disa organizata joqeveritare janë duke përgatitur propozime për ndryshime në ligjin që rregullon gjuhën e urrejtjes në hapësirat publike dhe vandalizmin e mureve.

Milan Filipoviq nga Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM) tha se një nga propozimet do të jetë një mënyrë më e qartë për marrjen e lejeve për vizatimin e muraleve, si dhe që përmbajtja e muralit të korrespondojë me nevojat e qytetarëve.

“Problemi mund të lindë kur muralet vendosen në mënyrë të organizuar me qëllim të mbingarkesës së hapësirës publike”, tha Filipoviq.

Ashtu siç janë shkruar grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, që nga fundi i vitit 2021 Beogradi është vërshuar nga grafiti me emrin dhe fytyrën e Ratko Mlladiqit, të dënuarit të Hagës për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.

Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut ka identifikuar 250 prej tyre, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që t’i largojnë. /Telegrafi/