Lajme

Aksioni “Brezovica”, nuk dihet sa autosallone, shtëpi e lokale janë bastisur

By GAZETA SCANNER 1

March 02, 2023

Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës janë aktivizuar sot qysh në orët e para të mëngjesit.

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt si dhe Administratën Tatimore të Kosovës kanë zbarkuar në disa lokacione.

Të njëjtit janë duke realizuar një operacion të gjerë, në kuadër të vazhdimit të aksionit të njohur tashmë për publikun si “Brezovica”.

Zyrtarët policorë kanë nisur bastisjet e shumta që në orët e para të mëngjesit.

Në një deklaratë për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar aksionin derisa ka theksuar se i njëjti po zhvillohet në disa lokacione si: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan.

“Operacioni policor ka të bëjë me hetimet dhe luftën kundër fenomenit të fajdeve, ku për informacione dhe detaje shtesë do të njoftoheni pas operacionit policor”,tha Kelani.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku ka deklaruar për lajmi.net se aksioni në fjalë tashmë ka përfunduar.

“Operacioni ka përfunduar”, ka thënë shkurt Maloku.

Gjithashtu ai theksoi se ende nuk kanë informacione të zgjeruara nga raportet policore në lidhje me bastisjes e kryera.

Sipas tij ende nuk dihet numri i autosalloneve të cilat janë kontrolluar.

Në një njoftim për media të bërë mëngjesin e sotëm, Prokuroria Themelore në Ferizja ka njoftuar se aksioni po realizohej në disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse, nën dyshimin për veprën e njohur si “Fajde”.

“Sot, është duke e realizuar  një aksion i cili ka rrjedh në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”, ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë dhe Lipjanit, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së”.

Duhet përkujtuar që rasti “Brezovica” është mjaftë i njohur për publikun e gjerë. Në kuadër të kësaj , Policia e Kosovës prej shumë muajsh ka zhvilluar aksione të njëpasnjëshme në disa zona të vendit.

Padyshim se zonat më të prekura ishin ato përreth Brezovicës, ku villave të shumta veçse u janë bllokuar hyrjet.

Hetimet në lidhje me rastin “Brezovica” janë duke vazhduar, nën dyshime për keqpërdorime të shumta të cilat janë bërë në përfitim të personave të ndryshëm.