Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi pesë milionë euro në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e bizneseve në qasje dhe financa. Por, kryetari i Agjencisë Kosovare të Biznesit thotë se kjo shumë nuk është e mjaftueshme në këtë kohë të inflacionit.
Madje, ai thotë se bizneset janë duke u përballur edhe me krizë financiare.
Ditë më parë Qeveria e Kosovës aprovoi kërkesën e Ministrisë së Financave për zbatimin e masës 2.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Sipas këtij vendimi, janë ndarë 5.5 milionë euro për mbështetjen e bizneseve në qasje në financa.
Nga Agjencia Kosovare e Biznesit këtë e shohin si nismë të mirë por jo të mjaftueshme për shkak se vlera e kësaj mbështetjeje është e vogël.
Agim Shahini thekson se bizneset kosovare janë duke u përballur me një krizë financiare, duke u bazuar siç thotë ai edhe në rënien ekonomike të vendit.
Vendimi për ndarjen e 5.5 milionë eurove po shihet pozitiv edhe nga ekonomisti, Besnik Avdija i cili thotë se efektet e saj do të shihen pas një kohe.
Gjatë vitit të kaluar, në Kosovë u shënua një rritje e inflacionit deri në 15 për qind.
Kjo çoi deri te mbyllja e qindra bizneseve të vogla dhe të mesme në vend./Tëvë1/