Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta, kanë organizuar të hënën akademi përkujtimore në nderim të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ragip Jashari, i cili ka ndërruar jetë javën e kaluar.
Në këtë akademi kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Fadil Nura, baci Rifat Jashari, familjarët e të ndjerit, drejtorët e komunës, bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, të ftuar dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Nura ka thënë se Ragip Jashari ishte një njeri i kompletuar me veti të larta, edhe si burrë edhe si një trim që i përgjigjet nevojës së Kosovës për liri.
“Meqë ishte fqinji i parë i Adem Jasharit, do të jetë po ashtu i pari jashtë familjes së komandantit legjendar që i bashkohet luftës për çlirim të vendit. Secili që ka pas fatin ta njoh Ragipin, e në mesin e të cilëve, isha edhe unë që e njoha, ka pas para vete një burrë fjalëpak, një njeri të qetë dhe të respektuar, mbi të gjitha”, ka thënë mes tjerash kreu i Komunës, Nura.
Për kontributin e tij në luftë kanë folur edhe bashkëluftëtarë të Ragip Jasharit, duke e vlerësuar atë si një nga luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurse në emër të familjes, të pranishmit i ka falënderuar nipi i Ragipit, Ahmet Jashari.
Ragip Jashari ka ndërruar jetë javën e kaluar.