Ballina

Ahmeti liderit të VMRO-së: Fjalët e mia mbaj vathë në vesh, bëj kujdes

By GAZETA SCANNER 1

April 22, 2024

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, e ka porositur liderin e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski, të ketë kujdes, meqë ky i fundit e ka ngritur lart diskursin nacionalist dhe cak kryesor ka shqiptarët.

“Duhet me kujdes me i dëgju deklaratat e mia, nuk e kam provokuar dhe nuk dua që ta hidhërojë, por fjalët e mia mbaj vathë në vesh, bëj kujdes. Nuk ka bërë mirë që ka dalë me partinë e tij dhe ka kërkuar që asnjë votë të mos jepet për kandidatët për deputetë të Frontit Evropian”, tha Ahmeti në një intervistë për RTV 21.

“Sulmet e BDI-së që i bën opozita i bën kundër shqiptarëve, hapur po shihet kjo punë. Mickovski është dashur të mos e filloj këtë betejë se nuk i del me mua. Akoma një ditë nuk ka në drejtim të shtetit, qe shtatë vite është në opozitë”.

Gjatë kësaj interviste, po ashtu ai ka potencuar se askush nuk duhet të “turpërohet nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, pasi u kritikua nga partitë maqedonase pasi bërtiti të dielën në tubimin përmbyllës së partisë së tij “UÇK, UÇK, UÇK”.

“S’kemi pse të turpërohemi të bërtasim UÇK, sepse historia e këtij vendi nuk bëhet pa UÇK-në dhe pa marrëveshjen paqësore të Ohrit. Janë momente të rëndësishme të këtij shteti”, theksoi kreu i BDI-së.