Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se në aspektin ndërkombëtar Kosova është duke e paguar faturën e izolimit dhe përjashtimit nga të gjitha proceset.
Ahmetaj, ka shtuar se pikërisht falë bashkëpunimit me shtetet partnere Kosova ka arritur këtu ku është andaj sipas saj nuk ia vlen konfrontimi me asnjë shtet mik në asnjë proces të rëndësishëm .
“Kosova në tërësinë e saj në aspektin ndërkombëtar është duke e paguar faturën e izolimit, përjashtimit nga të gjitha nismat, organizatat ndërkombëtare dhe nga të gjitha proceset. Në të gjitha proceset që Kosova është konfrontuar pavarësisht cili shtet e sa i rëndësishëm është ai shtet nuk e vlen konfrontimi. Kosova ka arritur këtu ku është me qeveritë e kaluara pikërisht duke u bazuar në bashkëpunimin të cilin ne e kemi pasur shumë të ngushtë me të gjitha shtetet partnere dhe mike të cilat e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset”, ka thënë ajo në emisionin “Info Nata”, në Tëvë1.