Ballina

Agjenda e KiE mund të ndryshojë në minutën e fundit, thotë Rohde duke ftuar Kosovën për “hapin e guximshëm”

By GAZETA SCANNER 1

May 10, 2024

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për takimin që do të mbahet më 17 maj.

Megjithatë, ambasadori gjerman thotë se Kosova sa më shpejt duhet të marrë një vendim, duke aluduar në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ka dalë si kusht i fundit.

“Agjenda e mbledhjes së Komitetit të Ministrave mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Por sa më shpejt që Kosova merr një vendim të guximshëm, aq më realiste do jenë 2/3 e shumicës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës!”, shkroi Rohde, duke shpërndarë një citat nga intervista për A2CNN që do të publikohet në mbrëmje.

Në takimin e fundit të zëvendësministrave të vendeve anëtare të KiE, Kosova nuk është përfshirë në rendin e ditës për mbledhjen e 17 majit.