Lajme

Afro 400 milionë euro brenda 4 muajve, vijon rritja eksponenciale e remitencave

By GAZETA SCANNER 1

July 01, 2024

Remitencat, si ndër kontribueset më të mëdha të zhvillimit ekonomik të vendit, kanë vazhduar rritjen edhe gjatë vitit 2024. Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2024, remitencat kanë arritur vlerën e gati gjysmë miliardi euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Këto flukse financiare njihen gjerësisht për rolin e tyre jetik në zbutjen e varfërisë në Kosovë.

Plotë 394.24 milionë euro ishte vlera e remitencave deri në prill të 2024-ës, ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës. Krahasuar me katër muajt e parë të vitit 2023, vlera e transfertave private shënoi rritje për 9.73 milionë euro apo 2.53 për qind gjatë këtij viti.

“Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në prill 2024 shënoi 394.24 milionë euro, që paraqet rritje prej 9.73 milionë euro ose 2.53% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.” – thuhet në njoftimin e BQK-së.

Gjatë vitit 2023, remitencat arritën vlerën më të lartë ndonjëherë, mbi 1.3 miliardë euro. Vlera e vitit të kaluar paraqet rritje prej 120.5 milionë euro ose 10 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, sipas njoftimit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas një studimi “Migrimi dhe zhvillimi ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor: Gjetje nga Kosova”, dërgesat e emigrantëve kanë rol “një rol të rëndësishëm ekonomik dhe social” në pothuajse të gjitha vendet e Ballakanit.

“Remitancat luajnë një rol të rëndësishëm ekonomik dhe social në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Maqedonisë së Veriut. Në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë pjesa e tyre në PBB kalon 10% ndërsa në Serbi, Shqipëri dhe Mal të Zi janë më pak se 10%”, thuhet në raport.

Kujtojmë se sipas një ankete të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Buxhetin e Ekonomive Familjare për vitin 2022, 78.5 për qind e familjeve në Kosovë kanë vështirësi në mbulimin e shpenzimeve për strehim dhe banim. 40.7 për qind prej tyre e kanë barrë te rendë.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ato luajnë një rol të rëndësishëm pasi konsiderohen si kundërciklike, ose thënë ndryshe vijnë nga emigrantët në vendin e tyre të origjinës kur një vend po përjeton një krizë ekonomike. /Nacionale/