Afrika e Jugut i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) që ta urdhërojë Izraelin për t’u tërhequr nga qyteti Rafah si pjesë e masave emergjente shtesë për luftën në Gaza, njoftoi të premten gjykata më e lartë e OKB-së.
Në rastin e paraqitur nga Afrika e Jugut dhe që po vazhdon, Izraeli akuzohet për gjenocid kundër palestinezëve. Në janar të këtij viti, GjND-ja e urdhëroi Izraelin që të përmbahej nga çfarëdo veprimi që do të mund të përfshihej në Konventën e Gjenocidit dhe që të sigurohej se trupat e tij të mos kryejnë asnjë akt gjenocidal kundër palestinezëve, raporton agjencia “Reuters”.
Izraeli nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment, por më parë ka thënë se është duke vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare në Gaza, ndërsa rastin e paraqitur në GjND nga Afrika e Jugut e ka cilësuar të pabazë, duke e akuzuar shtetin afrikan se po vepron si “krah juridik i Hamasit”.
Afrika e Jugut kërkoi nga GjND-ja që t’i urdhërojë ndërprerjen e ofensivës izraelite në Rafah dhe lejimin e qasjes së papenguar në Gaza për zyrtarë të OKB-së, organizatave që ofrojnë ndihma humanitare, gazetarë e hetues.
Sipas Afrikës së Jugut, përmes operacionit ushtarak izraelit po vriten palestinezë në Gaza dhe në të njëjtën kohë të tjerë po vdesin nga uria përmes mohimit të hyrjes së ndihmave humanitare.
“Ata që kanë mbijetuar deri më tani, po ballafaqohen me vdekje të afërt tani, dhe një urdhër nga Gjykata është i nevojshëm për ta garantuar mbijetesën e tyre” – thuhet në kërkesën e Afrikës së Jugut.
Në luftë janë vrarë gati 35 mijë njerëz në Gazën e qeverisur nga Hamasi, sipas autoriteteve shëndetësore atje. Rreth 1.200 njerëz u vranë në Izrael e 253 të tjerë u morën peng, kur Hamasi nisi një sulm që e nxiti fillimin e luftës, sipas të dhënave izraelite.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë zakonisht merr vendime brenda disa javëve rreth kërkesave për vendosjen e masave emergjente. Megjithatë, mund të kalojnë vite derisa GjND-ja të lëshojë vendim përfundimtar për rastin.
Ndonëse vendimet e GjND-së janë të detyrueshme dhe pa mundësi ankese, gjykata nuk ka mekanizma për t’i zbatuar ato.