Në një intervistë të fundit me Zërin e Amerikës, komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe komandant i forcave të NATO-s në bazën e Napolit, admirali amerikan, Stuart B. Munsch, theksoi gatishmërinë e aleancës për të adresuar sfidat e mundshme në Kosovë dhe në rajon më gjerë.
I pyetur për gjasat e rritjes së tensioneve këtë vit ose në të ardhmen e afërt, Admirali Munsch tha se aleanca mbetet e gatshme “të përballojë çdo sfidë” ndërsa shtoi se mund të ketë shtim të truapve nëse konsiderohen e nevojshme.
“Ne jemi gjithmonë gati të përballojmë çdo sfidë që mund të dalë. Ndonjëherë vendosim forca shtesë që të jemi të përgatitur për çdo rrethanë që mund të sjellë dhunë. Një shembull i kësaj është ‘Forca e Reagimit Aleat’, që NATO-ja e krijoi verën e kaluar dhe bëri dislokimin e parë në rajon për të ruajtur stabilitetin.
E kemi mundësinë ta bëjmë këtë (shtimin e trupave) nëse është e nevojshme. Për këtë vendosim sipas rrethanave.” – tha ai.