Lajme

Admirali amerikan e zbut Vuçiqin, presidenti serb asnjë fjalë për kthimin e forcave serbe në Kosovë

By GAZETA SCANNER 1

December 20, 2022

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, admiralin amerikan Stuart Munsch, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin me NATO-n në kuadër të politikës së neutralitetit ushtarak të Serbisë.

“Presidenti Vuçiq dhe Admirali Munsch diskutuan për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe NATO-s në nivele të ndryshme dhe ranë dakord se dialogu i rregullt ndërmjet zyrtarëve të të dyja palëve është më i rëndësishmi për forcimin e besimit të ndërsjellë”, thuhet në komunikatën e Presidencës serbe, transmeton Demokracia.com.

Vuçiq tha se pjesëtarët e KFOR-it kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe në mbrojtjen e serbëve dhe komuniteteve të tjera joshqiptare në Kosovë.

“Ne duam të shohim paqen dhe stabilitetin më shumë se çdo gjë. Ne ju kërkojmë vetëm të mbroni popullin tonë në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq.

Mirëpo, në njoftimin e zyrës së Vuçiqit nuk thuhet asnjë fjalë për kthimin e 1000 pjesëtarëve serbë të sigurisë në Kosovës, ashtu siç propagandonte ai dhe ministrat e tij.