Adi Krasta pritet të japë dorëheqje sot nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës.
Bordi i RTK-së mban sot në 16:15 do ta mbajë një mbledhje. Megjithëse nuk janë përcaktuar krejtësisht pikat e rendit të ditës, Gazeta Express mëson se pritet të caktohet një ushtrues i detyrës së zëvendësdrejtorit.
Në pikat e rendit të ditës të kësaj mbledhjeje, është paraparë të miratohen disa procesverbale, të bëhet votimi për “përcaktimin e hapjes së zarfave për konkursin për Drejtor të Përgjithshëm” si dhe të bëhet “hapja e dosjeve të aplikacioneve dhe shqyrtimi i dokumentacionit të aplikueseve për konkursin për Drejtor të Përgjithshëm”.
Siç mëson Express, Krasta tashmë është përshëndetur me stafin e RTK-së.
Ai e kishte paralajmëruar disa herë dorëheqjen. Së fundmi, të dielën.
Krasta tha në një emision pas Festivalit të Këngës në RTK se “do ta bëjë aktive dorëheqjen e janarit të shkuar që e kam pasur në tryezën time gjatë gjithë kohës”.
Punën në RTK, tha se po e konsideron “si mision të mbyllur” me organizimin e Festivalit të Këngës.
“Mendoj që e përjetuam ëndrrën që dëshironim dhe ëndrrat kanë edhe një fund të bukur”, tha ai ndër tjerash.
Stafi i RTK-së ia dhuroi një buqetë me lule në fund të emisionit.