Lajme

Abrashi nuk beson që Pacolli telefonoi Radoiçiqin në prezencë të Osmanit dhe Kurtit

By GAZETA SCANNER 1

October 23, 2024

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, nuk beson që ka ndodhur telefonata e deputetit Behgjet Pacolli me kryeterroristin Millan Radojiçiq në prezencë të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Për deklaratën e Pacollit që tha se me Radojiçiqin bisedoi për të marrë votën e deputetit të Listës Serbe Adem Hodza për t’ia mundësuar Osmanit postin e presidentes, Abrashi thotë se Pacolli i takon klasës së vjetër politike, e cila ka vepruar vetë njëjtë me kryeterroristin.

“Ai i takon një kasti të vjetër të klasës politike. Kastë e vjetër politike, që e ka ndërmarrë çdo vendim duke u koordinuar me Radojiçiqin. Ekzistojnë fotografi të vjetra në jahtin e tij duke festuar me Radojiçiqin, i cili ia siguroi ai votat pastaj për t’u bërë president, dhe mendon se rruga drejt presidencës është nëpërmjet Radjiçiqit. Prandaj, unë nuk e fajësoj Pacollin, pasi që nuk dinë mënyrë tjetër të funksionimit”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ndërkohë, deklaroi se Pacolli duhet ta dëshmojë një gjë të tillë.

“Unë nuk besoj që ka ndodhur ajo telefonatë, absolutisht jo. Kemi të bëjmë me deklarata të njerëzve që jetojnë për mbijetesë, unë i marr me shumë rezervë këtë punë. Përndryshe le të vijnë le ta dëshmojnë nëse ka ndodhur një gjë e tillë. Meqenëse ai është zgjedh me votat e Radojiçiqit mendon se çdo gjë do të shkojë me votat e Radojiçiqit”, tha ai.