Lajme

Abdixhiku: Serbia e dëshiron një Kosovë të izoluar dhe të dobët ekonimikisht, Kurti po ia ofron këtë

By GAZETA SCANNER 1

October 31, 2024

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Serbia e do një Kosovë të dobët ekonomikisht dhe të izoluar ndërkombëtarisht. Sipas Abdixhikut, një Kosovë të dobët dhe të izoluar, po e mundëson Albin Kurti dhe qeverisja e tij.

“Serbia e do një gjë, një Kosovë të dobët ekonomikisht, të izoluar ndërkombëtarisht. Një Kosovë të dobët ekonomikisht, të izoluar ndërkombëtarisht është duke ja dhuruar Albin Kurti”, ka thënë Abdixhiku në Rubikon me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova.

Ai ka përmendur edhe çështjen e sanksionimit të Kosovës nga aleatët.

Po ashtu, kreu i LDK-së ka renditur edhe marrëveshjet që ka bërë Serbia me aleatët e Kosovës. “Serbia në 70 ditët e fundit ka nënshkruar marrëveshje për avionë luftarak me Francën. Për 70 ditë, 13 miliardë dollarë avionët më të kërkuar ushtarak prej Francës, rezervat e litiumit me Gjermaninë, partneritet strategjik me ShBA-të për energjetik”, ka thënë ai.

Sipas Abdixhiku, Kosova ka sanksione dhe ka mungesë të njohjeve e anëtarësimeve.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tutje ka treguar sipas tij dallimin kryesor mes tij dhe kësaj qeverie.

Partia në pushtet flet për të kaluarën sipas Abdixhikut kurse ai për të ardhmen, sepse siç është shprehur ai, e kaluara nuk ndryshohet. “Këta kanë betejën me të kaluarën, unë kam betejën me të ardhmen. Ky është dallimi kryesor. Këta merren me qeveritë e kaluara, unë po të tregoj se si bëhet e ardhmja”, ka thënë Abdixhiku. “Unë po them pagat janë të pamjaftueshme. Këta merren me vitet e kaluara, unë s’do të flasë për të kaluarën, unë flas për të ardhmen. Sepse ndonjëherë qeveritë duhet të maten me atë që bëjnë në të ardhmen, për të kaluarën nuk është çështje e kësaj qeverie. Sepse nuk e ndryshon të kaluarën, e të ardhmen po”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku deklaroi se ai ju flet qytetarëve se çka do të bëj që në javën e parë të qeverisjes, e nuk ju flet për histori.