Lajme

Abdixhiku: Rritja e çmimeve, brenga kryesore e qytetarëve – unë do rris koeficientin e pagave të sektorit publik

By GAZETA SCANNER 1

October 31, 2024

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka thënë se brenga kryesore e qytetarit të Kosovës, është rritja e çmimit.

Në “Rubikon”, Abdixhiku thotë se kjo është gjendje alarmante tash e katër vjet.

“Çështja e pagave nuk duhet parë vetëm në aspektin e një buxheti vjetor, por duhej të ishte i lidhur jo vetëm me zhvillimet ekonomike të një vendi, por edhe me atë që ne e konsiderojmë si problemin bazik të familjeve kosovare, që është rritja e madhe e çmimeve dhe inflacioni”, tha Abdixhiku.

“Ka një gjendje alarmante në vendin tonë tash e katër vjet. Pra për herë të parë në historinë e Kosovës, brenda një mandati 4-vjeçar, indeksi i çmimeve, ajo që e mat inflacionin ka shënuar rritje rekorde prej 22 pikë.  Rritja e këtyre çmimeve është brenga kryesore e qytetarëve tanë”.

Lidhur me këtë, Abdixhiku e tregon edhe vendimin e tij të parë nëse do të bëhet kryeministër.

“Java e parë, vendimi im i parë si kryeministër, është që koeficienti i pagave në sektorin publik të jetë 150”.