Lajme

Abdixhiku: Po vazhdon beteja për një shoqëri të barabartë të vajzave e grave

By GAZETA SCANNER 1

March 19, 2024

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është duke vazhduar beteja për një shoqëri të barabartë, të vajzave e grave.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka folur për pjesëmarrjen e tij në Konferencën Hapëse të Javës së Gruas 2024, me ftesë të National Democratic Institute (NDI).

“Para një audience të shkëlqyeshme e me plot interesim, shtrova jo vetëm planet e “Rrugës së re” drejt barazisë e gjithëpërshirjes, aktivizimit të gruas në shoqëri e në treg të punës, por dhe reformën e brendshme partiake në LDK si storie e avancimit substancial të gruas në pozitat më të larta udhëheqëse në parti e në qeverisje lokale”.

“Gjatë tre viteve të fundit, kemi rritur substancialisht pjesëmarrjen e gruas në të gjitha nivelet partiake; siç dhe kemi thyer rekorde përfaqësimi e përgjegjësie në qeverisje komunale. Nën moton ‘gra të fuqizuara, shtet i fuqishëm’ vizioni ynë nuk ishte vetëm politikë në një copë letre, por një veprim konkret me shembuj suksesi. Sot, me këtë kapërcim, mburremi të gjithë!”.

“Beteja për një shoqëri të barabartë, të vajzave e grave, vazhdon. Ky mision duhet të jetë i secilit. Pa dyshim, si baba i dy vajzave, si udhëheqës i formacionit më të vjetër politik në vend, këtë betejë e kam me plot prioritet. LDK do të jetë shembull i barazisë!”, ka thënë Abdixhiku.