Lajme

Abdixhiku në takim me bashkatdhetarë: Mërgata jonë pasuria më e madhe e vendit

By GAZETA SCANNER 1

May 21, 2023

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë është takuar me bashkatdhetarë në Zvicër me rastin e 33 vjetorit të themelimit të Degës.

Kryetari Abdixhiku në fjalën e tij ka vlerësuar lartë kontributin e bashkatdhetarëve tanë që nga ditët e para dhe orët më të rënda të vendit. Ai tha se 33 vite më parë kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës si rezultat i thirrjes për reflektim ndaj vuajtjeve e përpjekjeve historike të popullit tonë, ku ishin renditur veprimtarë të shquar të kohës të cilëve iu printe Presidenti Rugova, iu bashkuan edhe shqiptarët në diasporë të cilët u bënë shtyllë historike e çdo procesi zhvillimor në Kosovë.

Kryetari Abdixhiku duke folur për proceset e rëndësishme të orëve të rënda për vendin foli edhe për ndihmën e madhe dhe të rëndësishme që bashkatdhetarët tanë e dhanë në vazhdimësi. Ai tha se mërgata ishte burim i pashtershëm organizativ, financiar e logjistik; ndihmuan shkollat shqipe, mësuesit, mjekët dhe iu bashkuan edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke përmendur, Agim Ramadanin, Sali Çekajn, e shumë burra e gra, që lanë jetën e mirën në mërgim, për aktin më të lartë njerëzor, flijimin për atdhe e për liri. “Angazhimi i juaj, gjatë viteve të 90-ta, është shembull mobilizimi e ideali. Për këtë angazhim, Kosova, atdheu i juaj, gjeneratat e sotme e të ardhme që do të vijnë; do të jenë mirënjohës përherë. Asnjë mërgatë, e asnjë vendi tjetër – në gjithë historinë moderne të kontinentit tonë, nuk mund të arrijë standardin e venë nga ju”, ka thënë kryetari Abdixhiku.

Abdixhiku duke folur për rrugëtimin historik të LDK-së dhe vetë Kosovës ka thënë: “teksa shënojmë këtë rrugëtim historik, e kemi të qartë para vetës madhështinë e këtij organizmi politik. Një rrugëtim që as nuk mund të përsëritet e as të arrihet nga askush. Një rrugëtim që solli lirinë, pavarësinë dhe vet demokracinë. Në këtë rrugëtim tonin historik, gjejmë dhe vogëlsinë e kundërshtarëve historik – kundërshtarë të vjetër e të rinj pa dallim – që s’reshtin e që s’pushojnë së përbalturi lëvizjen më të madhe të shqiptarëve të Kosovës në gjithë historinë. Këtë përbaltje të tyre duhet ta kapërcejmë,

jo duke u bërë si ta, sepse nuk jemi si ta, por duke gjetur e rigjetur njëri-tjetrin e duke ruajtur origjinalitetin tonë identitar e veprues.”

Në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për gjithë kontributin e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër për për punën, angazhimin dhe gjithë kontributin historik që nga dita e parë deri te kjo e sotmja kryetari Abdixhiku ndau Dekoratën më të lartë që e jep Lidhja Demokratike e Kosovës, Dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”, për Degën e LDK-së në Zvicër.

Nga Zvicra kryetari Abdixhiku dha një mesazh: “ky mesazh le të jetë një thirrje për çdo rugovist, çdo të djathtë, çdo patriot në Kosovë e në Mërgatë. Le të bëhemi bashkë, le t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit; të gjitha regjionet, të gjitha brezat, të gjitha anët, le të rreshtohemi prapa një ideje e një ëndrre që sot kërkon angazhimin tonë monumental. Le të ndërtojmë shtëpinë tonë demokratike, lidhjen tonë politike, Lidhjen tonë Demokratike. Le ti japim vetes një organizim politik si asnjëherë më parë, e Kosovës, gjeneratave të tashme e të ardhme, shtetin që e kemi ëndërruar gjithherë.”