Lajmest-slider

Abdixhiku: LV ka shkelur njërin prej parimeve të para të marrëveshjes

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Vetëvendosje ka shkelur njërën nga marrëveshjet e arritura në ditën e parë të diskutimeve për arritjen e koalicionit qeverisës.

Sipas tij, dy partitë ishin marrë vesh që të mos bëhet asgjë publike derisa të arrihet marrëveshja finale.

Abdixhiku ka thënë se kjo është shkelur nga Vetëvendosje duke nxjerrë diskutimet nga tavolina e liderëve në publik.

“Kur takohen dy liderë, dhe vetëm ata dy në takim, nuk i takon të tretit të interpretojë detajet e takimit. Nëse vendosin ta bëjnë publike substancën e takimit, mund ta bëjnë. Edhe po të më takonte të interpretoja do të thosha dy marrëveshje që kemi, që asgjë s’është e marrë vesh derisa gjithçka të merret vesh dhe e dyta që është shkelur që substanca e diskutimeve të mos bëhet publike derisa të ketë marrëveshje finale. Gjatë javës së kaluar ka pasur zyrtarë të VV-së që diskutimet nga tavolina e liderëve i kanë bartur në publik. Kjo është mes naivitetit dhe qëllimit jo të mirë për të arritur marrëveshje, sepse tjetër shpjegim s’mund të gjej, por kur e vendos diskutimin mes palëve me mirëbesim, në publik e dërgon te militantët”, ka thënë ai në KTV.

Abdixhiku: Po të kishim fituar zgjedhjet, Kurti do të ishte president

Më tutje, Lumir Abdixhiku, ka thënë se po të kishte fituar kjo parti zgjedhjet e 6 tetorit marrëveshja do të ishte arritur brenda 24 orëve.

“Tashmë do ta kishim qeverinë me LV-në 24 orë pas certifikimit. Me siguri Kurti do të ishte presidenti i ardhshëm, e një anëtar i LV-së kryetar i Kuvendit”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se me LV-në janë marrë vesh para zgjedhjeve se do të ndahen postet politike, e këtu ai ka thënë se do të përfshihej edhe posti i presidentit.

“Ka qenë pjesë e një marrëveshje paraprake, draft-marrëveshje ku është thënë se çështjet e pozitave politike do të diskutohen brenda partnerëve. Nuk është diskutuar në detaje sepse as marrëveshja s’ka qenë voluminoze siç është tani sepse nuk e dinim se si do të dalim prej zgjedhjeve. Ka një draft por nuk është diskutuar, ka qenë kapitull, pikë e një dokumenti”, ka thënë ai në një intervistë në KTV.

Abdixhiku ka kritikuar Vetëvendosjen duke thënë se “në momentin që ka mosmarrëveshje, nuk duhet të zmadhohen ato”.

“Ose je naiv për të shkatërruar marrëveshjen, ose je i porositur për ta shkatërruar marrëveshjen”, ka thënë ai.

Po ashtu, Abdixhiku ka thënë se po të shkohet në zgjedhje tjera atëherë LDK-ja nuk mund të bashkëpunojë më me LV-në, dhe se këta të fundit duhet të kërkojnë një partner tjetër.