Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar të gjithë të rënët në Betejën e Loxhës në 26-vjetorin e vdekjes.
Ai ka përkujtuar kolonelin Tahir Zemaj, ku sipas tij ka qenë njeriu më i afërt i presidentit Ibrahim Rugova.
“Sot, nderojmë strategun, luftarakun, atdhetarin e madh, bashkudhëtarin si dhe njeriun e afërt të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, Kolonel Tahir Zemaj. Po ashtu përkujtojmë dhe nderojmë Heroin Rrustem Bruçi, personalitetin e shquar të luftës për liri, juristin e aktivistin politik, komandantin e UÇK-së, e një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike në Deçan. Në Betejën e Lavdishme të Loxhës, ranë për të mos vdekur kurrë edhe heronjtë Lumni Surdulli dhe Enver Alaj, të cilët me trimërinë e pashoq treguan se ëndrrat kombëtare janë më të vlefshme se çdo gjë tjetër”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Derisa, Abdixhiku ka thënë që duhet të punojmë për forcimin e idealit të të rënëve për liri.
Gjaku i derdhur për liri, në Loxhën heroike është amanet për ne të gjallët që të mos e harrojmë të kaluarën tonë të përgjakur dhe të punojmë fort në forcimin e idealit të të rënëve për liri”, shkroi ai./teve1.info/