Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tash deputeti i pavarur, Haki Abazi, ka thënë se nuk dyshon që ShBA-ja dhe disa vende të BE-së kanë informacione të sakta për lëvizjet e makinerisë ushtarake dhe planifikimeve që Serbia mund t’i bëjë për të provokuar tension.
Abazi tha se ideja që Serbia mund ta sulmojë Kosovën, Malin e Zi e edhe Bosnjën, por që sipas tij, këto sulme duhet të jenë të paprovokuara nga palët, pasi që kjo e mundëson veprimin e shteteve të NATO-s dhe botës perëndimore për t’i ndihmuar Kosovës.
“Kur dëgjojmë kërkesa për shtensionim, kërkesa për mosprovokim të situatës ka të bëjë me ligjin ndërkombëtar se kur mund të vihet në ndihmë ndaj një shteti që nuk është anëtar i NATO-s”, tha ai në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, Abazi tha se ShBA-të kishin paralajmëruar shtetet evropiane se Rusia po përgatitej për një luftë në Ukrainë, e që sipas tij, shumë nga vendet evropiane s’besonin, por doli të jetë e saktë.