Disa nisma ligjore, përfunduan në Komision të Venecias.
E përmbajtja e tyre, shpeshherë edhe pësoi ndryshime varësisht opinioneve të lëshuara.
Por, si e panevojshme shihet që gjithë këtë rrugë, ta përshkojë një nismë ligjore, çfarëdo qoftë ajo.
“Arsyetimi i vonesave dhe trajtimit të rasteve dhe dërgimit të iniciativave për reforma në drejtësi në Komision të Veneciaa, unë e shoh si pothuajse të panevojshëm, për shkak se institucionet, respektivisht Ministria e Drejtësisë është e vetëdijshme se ku dhe deri ku mund të insistojë që të ndërhyjë dhe të ketë nën kontroll sistemin e drejtësisë”, thotë Anton Ndrecaj nga Istiuti Clard.
Në anën tjetër, Komisioni i Venecias vlerësohet më shumë si masë për reflektim të përmbajtjes së një projektligji.
“Grupi për Studime Juridike dhe politike vlerëson që kërkesat drejtuar Komisionit të Venecias për opinione sa i përket nismave legjislative, nuk duhet të shihen si zvarritje e këtyre procesve, përkatësisht reformave në drejtësi. Përkundrazi, këto kërkesa duhet të shihen si masë reflektimi për ministrinë dhe sponzurizuesit e tjerë të ligjeve, që të marrin parasysh të gjitha rekomandimet që vijnë nga ky institucion kredibil. Mund të konsiderohet zvarritje vetëm në atë moment kur kemi rekomandime nga Venecia dhe të njëjtët nuk reflektohen nga ana e ministrit”, thotë Liridon Salihu nga GLPS.
Dërgimet e draft ligjeve edhe në Gjykatë Kushtetuese, pushteti i vlerëson si të padrejta.
“Strategjia opozitare që është legjitime, por mendoj se është e padrejtë, është që të mbledhin në sasi sa më shumë ligje dhe më pas t’i dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, dhe dihet që Gjykata Kushtetuese merr një kohë bukur të mirë, e disa prej tyre më pas edhe i rrëzon”, tha deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj.
Në Komision të Venecias ishte edhe vettingu në drejtësi, i cili kishte numëruar një varg rekomandimesh.