Kush janë “Mbrojta Civile” dhe “Brigada e Veriut”, krahas të cilave kanë vepruar, ndër vite, në veri të vendit, edhe organizata tjera kriminale si “Mjekroshët” dhe “Rojat e Urës”?
E para ka operuar në këtë pjesë qysh prej vitit 2011, madje publikisht. Ajo ishte pjesë e strukturave paralele të Serbisë.
Ligji i Mbrojtjes i këtij shteti flet pikërisht për organizatën në fjalë, e ku thuhet: “Mbrojtja Civile” është pjesë e “një sistemi të integruar të policisë, e organizuar për funksionimin e suksesshëm të organeve shtetërore, organeve të krahinës autonome dhe vetëqeverisjes lokale… dhe i përmbush nevojat e forcave të mbrojtjes gjatë emergjencave dhe në luftë”.
Fillimisht, pjesëtarët e këtij grupi, që besohej se ishin 300, endeshin me uniforma të zeza. Më pas, numri u rrit. Njëri nga udhëheqësit “Mbrojtjes Civile” ishte Milun Milenkoviq i njohur me nofkën “Lune”, i cili u arrestua nga policia pasi dyshohej se qëndronte prapa organizimit për sulmet e serbëve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, majin e vitit 2023.
Me pak se për këtë grup, dihet për tjetrin, “Brigada e Veriut”, për të cilin ka pretendimet se dirigjohet nga Milan Radoiçiq.
Ky besohet të jetë, koka e agresionit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023-tës. Po ashtu, është i dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb nga Mitrovica e Veriut, Oliver Ivanoviq.
Në polici besojnë se “Brigada e veriut” ka qenë grupi i njerëzve që kanë kryer sulme të imëta guerile sikur kanë qenë djegiet e shpeshta të veturave të serbëve që tregoheshin luajal ndaj institucioneve të Kosovës, por edhe sulmet fizike e psikike ndaj tyre.
Pas asaj që ndodhi në Varagë, besohet se këto grupe, dhe jo veç ato, po kalojnë në tjetër nivel, të paktën sipas ekspertëve të sigurisë.
Emisionin e plotë MAT në Klan Kosova mund ta ndiqni më poshtë: