Qeveria e Kosovës tha se e mirëpret vizionin e shprehur nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, se BE-ja do të mund të pranojë vende të reja anëtare deri në vitin 2030, por se ato “nuk duhet të importojnë konflikte nga e kaluara”.
Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria tha se ka marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se ajo është e përkushtuar për zbatimin e tyre.
Sipas saj, i takon Serbisë “të sillet me përgjegjësi”.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se është Prishtina ajo që “nuk do zgjidhje”.
Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.
Kosova, dhjetorin e kaluar, ka aplikuar për anëtarësim në BE, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.
Zgjidhja e mundshme
Njohësit e integrimeve evropiane dhe të proceseve politike në Kosovë dhe në Serbi kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me gjasat e dy vendeve për t’i normalizuar marrëdhëniet deri në fund të kësaj dekade.
Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, thotë se, nëse shikohet historia e deritashme e dialogut Kosovë-Serbi, ka pak vend për optimizëm se kontesti ndërmjet dy vendeve mund të zgjidhet shpejt. Por, sipas tij, kjo nuk është e pamundur.
“Nëse dëshirojmë ta jetësojmë këtë vizion, pra deri më 2030, atëherë, që nga sot ose nesër, liderët duhet të fillojnë të sillen në mënyrë radikale ndryshe. Kjo më së shumti do të testohet në çështje të ndjeshme politike, si dialogu për normalizimin e marrëdhënieve [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë]. Patjetër që 7 vjet janë më se të mjaftueshëm që Kosova dhe Serbia të mësohen të jetojnë si dy fqinj, sikurse që jetojnë Sllovenia dhe Kroacia, Gjermania dhe Austria etj.”, thotë Shasha për Radion Evropa e Lirë.
Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se insistimi i BE-së dhe SHBA-së në vazhdimin e dialogut, i cili ka muaj që ka ngecur, tregon se Perëndimi po përpiqet ta çojë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“… pastaj, kur procesi të arrijë në fund, kur Serbia të jetë para dyerve të Bashkimit Evropian, unë jam i bindur që Serbia, medoemos, do ta kërkojë një marrëveshje me Kosovën [për normalizim], që t’i hapet dera për të hyrë në BE, sepse ndryshe, e ka të pamundur të hyjë në BE”, thotë Demhasaj.
“Por, normalisht, nëse Kosova bëhet pengesë për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, atëherë kjo do t’i shkaktojë telashe [asaj] për sa i përket këtij procesi [të integrimit në BE]”, shton ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.
Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.
“Palët po bëjnë të kundërtën e normalizimit”
Në Serbi, njohësit e proceseve politike shprehen më pesimistë sa i përket mundësisë që Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin të gjitha kontestet deri në fund të kësaj dekade.
Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se praktikat e deritashme në dialogun Kosovë-Serbi kanë treguar se palët u shmangen obligimeve që dalin nga marrëveshjet e arritura.
Për më tepër, thotë ai, në dy vjetët e fundit, palët kanë krijuar situata që nuk premtojnë se do të ndryshojnë qasje në procesin e normalizimit të raporteve.
“Të dyja palët, thjesht, bëjnë gjithçka të kundërt nga ajo që do ta sillte situatën në normalitet… [Normalizimi i marrëdhënieve] do të varet nga ajo se a do të mbeten në pushtet garniturat e njëjta në Kosovë dhe në Serbi. Do të varet edhe nga fakti se sa do të jetë Perëndimi energjik në presionin ndaj palëve, që problemet të zgjidhen”, thotë Popov për Radion Evropa e Lirë.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të varet në veçanti vetëm nga këto dy vende.
Sipas tij, vetë Bashkimi Evropian si tërësi është treguar joserioz në qasjen e tij ndaj këtij problemi, sepse pesë vende të tij – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja – nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Janjiq thotë se, nëse Bashkimi Evropian do t’i bindë këto vende që ta njohin Kosovën, atëherë procesit të zgjidhjes së kontestit Kosovë-Serbi do t’i hapej rruga.
“Të jem preciz. Në qoftë se ata [BE-ja] janë seriozë në çfarëdo qoftë, si dhe në vendosjen e përparësive të tyre, ata nga Komisioni Evropian, së pari, duhet të merren vesh me ato pesë shtete. Pra, ‘a e pranojmë ne Kosovën si shtet dhe shoqëri demokratike, sipas parimeve të vitit 1990’? Ato quhen parime për pranimin e shteteve të reja, pra shteteve të reja demokratike në Evropë. Pse nuk po e bëjnë këtë?”, shprehet Janjiq.
Pavarësisht të gjithave, bashkëbiseduesit e REL-it thonë se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, do të varet më shumë nga vendimi politik i BE-së, sesa nga përmbushja e kritereve për anëtarësim.
Nuk është hera e parë që nga BE-ja përmendin data konkrete për zgjerim, por ato nuk janë respektuar. Për shembull, Strategjia e Komisionit Evropian për Zgjerimin e Ardhshëm, e publikuar në vitin 2018, parashikoi se Serbia dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2025.
Kanë mbetur edhe 18 muaj deri në datën e synuar, por të dyja vendet kanë bërë pak përparim në procesin e anëtarësimit, ndërkohë që fundi i negociatave as që duket.
Në cilën fazë të integrimit janë vendet e tjera të rajonit?
Serbia dhe Mali i Zi konsiderohen lidere në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Mali i Zi ka statusin e kandidatit që nga viti 2010 dhe ka hapur negociatat në vitin 2012. Serbia, kandidate nga viti 2012, i ka hapur negociatat në vitin 2014.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave në vitin 2022.
Bosnje dhe Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar.