Lajme

A mund të ndalohet përdorimi i TikTok-ut në Kosovë?

By GAZETA SCANNER 1

July 07, 2024

Ndonëse në fund të qershorit Qeveria e Kosovës ndaloi përdorimin dhe funksionimin e aplikacionit TikTok në institucionet shtetërore, një gjë e tillë aktualisht nuk planifikohet në nivel vendi.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Analizat dhe vlerësimet e institucioneve dhe ekspertëve në lidhje me gjendjen dhe rreziqet e sigurisë kombëtare kibernetike janë të vazhdueshme. Masat dhe rekomandimet për të ardhmen nxirren vetëm mbi rezultatet e këtyre analizave. Aktualisht, nuk është diskutuar ndalimi i rrjetit social TikTok në nivel vendi”, thotë Kryeziu.

Qeveria vendosi të ndalojë TikTok-un në institucionet shtetërore për shkak të rreziqeve kibernetike që, sipas ekzekutivit, ky aplikacion paraqet.

TikTok-u është aplikacion i popullarizuar për shpërndarjen e videove të shkurtra, kompania amë e së cilës, ByteDance, e ka bazën në Kinë. Në vitin 2021, TikTok-u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë, që përdoret nga të gjitha moshat, por të rinjtë janë shënjestra kryesore. Kjo ka rritur shqetësimet për sigurinë e tyre çdo ditë e më shumë.

Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, e kanë ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet qeveritare, për shkak të dilemave se TikTok-u mund të ndajë të dhënat e përdoruesve me Qeverinë kineze.

Në vitin 2023, TikTok-u kishte 1.5 miliard përdorues aktivë në baza mujore, ndërsa deri në fund të vitit 2024 pritet të arrijë në 1.8 miliard përdorues. Numri i kosovarëve që përdorin këtë aplikacion nuk dihet, por videot e publikuara nga përdoruesit kosovarë marrin miliona shikime.

Arbisa Shefkiu, 28-vjeçarja nga Gjilani e sheh TikTok-un si një platformë të shkëlqyer për të shprehur kreativitetin dhe për t’u lidhur me njerëz të tjerë nga e mbarë bota.

Megjithatë, ajo beson se në Kosovë duhet të ketë nisma për të rritur ndërgjegjësimin dhe sigurinë e përdoruesve të kësaj platforme.

“Kjo përfshin edukimin e rinisë për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, si dhe monitorimin e përmbajtjes për të parandaluar abuzimin dhe shpërdorimin e platformave të tilla”, thotë ajo.

Sipas saj, është e rëndësishme që autoritetet dhe komuniteti të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje që të sigurojnë një mjedis të sigurt për të gjithë përdoruesit.

“Edukim për platformat sociale”

Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka vendosur kontakt me TikTok-un dhe janë bërë disa ndryshime për përdorimin e këtij aplikacioni në vend.

Sogojeva-Dermaku shprehet se nga këto takime është vendosur që të përkthen në gjuhën shqipe politikat e privatësisë, dhe të vendoset kufizimi i moshës nga 13 në 16 vjeç për përdoruesit e këtij aplikacioni.

Ajo vlerëson se Kosovës i duhet edukim për përdorimin e platformave sociale.

“…të dimë dhe të mësojmë sesi duhet të sillemi në internet, të dimë si ta ruajmë veten dhe të tjerët nga keqpërdorimet në internet, kjo është ajo që duhet të bëjmë”, thekson ajo.

Cilat janë rreziqe nga TikTok-u?

Përdorimi i TikTok-ut mund të paraqesë rreziqe të ndryshme, nisur nga privatësia, e deri te rrezikimi i shëndetit mendor, për shkak të varësisë që mund të shkaktohet nga përdorimi i aplikacionit, thotë Tanzer Abazi, kryetar i Bordit në Shoqatën Shqiptare Kibernetike.

“TikTok-u mbledh një sasi të madhe të dhënash personale nga përdoruesit e tij, duke përfshirë informacione mbi pajisjet, vendndodhjen, kamerën, mikrofonin, audion, pajisjet afër saj dhe sjelljen e përdoruesve. Këto të dhëna mund të përdoren për qëllime komerciale apo të ndahen me palë të treta”, thotë Abazi.

Sipas tij, shqetësues është edhe fakti që TikTok-u ka bazën dhe serverët qendrorë në Kinë, që sipas tij, është një shtet jo shumë miqësor me Kosovën.

Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.

“Ekzistojnë shqetësime se të dhënat e mbledhura nga TikTok-u mund të përdoren nga qeveritë apo aktorë të tjerë për qëllime të padëshiruara, përfshirë mbikëqyrjen apo ndërhyrjet në privatësinë e përdoruesve’’, thotë Abazi.

Kush e ka ndaluar plotësisht e kush e kufizoi përdorimin e TikTok-ut?

Përderisa shumë nga vendet e Bashkimit Evropian e edhe institucionet e bllokut evropian, kanë ndaluar përdorimin e TikTok-ut në pajisje shtetërore dhe brenda institucioneve shtetërore, ka vende që kanë ndaluar plotësisht përdorimin e këtij aplikacioni.

India, Afganistani, Irani, Nepali, Pakistani janë disa nga vendet në të cilat TikTok-u është i ndaluar plotësisht.

Arsyet e ndalimit lidhen kryesisht me sigurinë kibernetike dhe përmbajtjen që ofron ky aplikacion.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërcënuar me ndalimin e përdorimit të këtij aplikacioni.

I shtyrë nga shqetësimet e mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e amerikanëve, apo t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni, Senati amerikan e ka kaluar në prill një projektligj i cili do ta ndalojë TikTok-un në Shtetet e Bashkuara, nëse pronari i saj – firma kineze ByteDance – nuk e shet atë brenda një viti.

Kompania kineze ByteDance, e cila e ka në pronësi TikTok-un, ka thënë se nuk e ka ndër mend ta shesë aplikacionin e famshëm.