Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se nuk beson se në negociatat me Prishtinën në Bruksel më 2 maj do të arrihet marrëveshje për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke pohuar se pala kosovare do të përpiqet të zvogëlojë rëndësinë e saj.
Daçiq u tha gazetarëve se do të ishte “shumë optimiste” të pritej që Prishtina të pajtohej me formimin e Asociacionit.
Ai kujtoi se 10 vjet më parë, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u diskutua për Marrëveshjen e Brukselit mes dy palëve, e cila nën kujdesin e BE-së ra dakord për formimin e Asociacionit dhe se që atëherë ka pasur “25 seanca të tilla” ku thuhej e njëjta gjë, por Prishtina ende nuk e ka kryer obligimin.
Kjo duhet të jetë pika e parë në përmbushjen e marrëveshjes në Ohër, theksoi Daçiq, duke kujtuar Aneksin e dakorduar të planit evropian për Kosovën, të cilin të dyja palët e pranuan më 27 shkurt në një takim në Bruksel me kreun e Eurodiplomacisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special për dialog, Miroslav Lajaçak.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohen të martën pasdite në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE-së në vazhdim të marrëveshjes për zbatimin e planit evropian dhe aneksit të Ohrit, dhe tema kryesore duhet të jetë Asociacioni.