Sport

7 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA, Ademi: Futbolli ynë ka shënuar hapa të mëdhenj përpara në të gjitha fushat

By GAZETA SCANNER 1

May 13, 2023

Federata e Futbollit të Kosovës, njofton se këtë të shtunë, më 13 maj, janë bërë 7 vjet që kur FFK-ja është bërë anëtare e familjes së madhe të futbollit – FIFA.

Kryetari i kësaj federate, Agim Ademi, në 7 vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në FIFA, ka thënë se kjo ka ndodhur vetëm 10 ditë pas anëtarësimit në UEFA, dhe se kësisoj futbollit të Kosovës iu hapën të gjitha dyert e përfaqësimit në skenën ndërkombëtare.

Ademi ka thënë se anëtarësimi në UEFA e FIFA ka shënuar një kapitull të ri dhe historik për futbollin e Kosovës.

“Gjatë këtyre shtatë viteve, futbolli ynë ka shënuar hapa të mëdhenj përpara në të gjitha fushat. Investuam në përmirësimin e infrastrukturës sportive, duke ndërtuar fusha stërvitore e duke krijuar kushte të volitshme për lojë në stadiumet ku klubet e zhvillojnë aktivitetin e tyre”, thuhet në mesazhin e urimit të kreut të FFK-së.

“Gjatë këtij rrugëtimi krijuam raporte të shkëlqyeshme me FIFA-në e UEFA-në, teksa vizita e presidentit Gianni Infantino, në vitin e kaluar dëshmoi respektin dhe rëndësinë që i japin këto dy institucione vendit tonë”, u shpreh Ademi.

Kryetari i FFK-së ka theksuar se në kuadër të programit të FIFA-së “Forward” kanë investuar në projekte të ndryshme, derisa në partneritet me FIFA-në e UEFA-në dhe institucionet shtetërore synojnë të krijojnë kushte sa më moderne për komunitetin e futbollit.

“Në këtë ditë të rëndësishme për FFK-në dhe gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë, u shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që kanë kontribuuar në rrugëtimin e futbollit të Kosovës që nga viti 1991 e deri më sot, nën udhëheqjen e kryetarëve Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani e Fadil Vokrri”, thuhet mes tjerash në urimin e Agim Ademit.