Lajme

Lladrovci pas shpalljes “Qytetar Nderi” të Drenasit të tre ish presidentëve shqiptarë: Me aleatët fituam luftën por pa Shqipërinë kjo nuk do të arrihej

By GAZETA SCANNER 1

December 14, 2022

Me rastin e shpalljes “Qytetar Nderi” të komunës së Drenasit, të tre ish presidentëve, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka theksuar se “kjo ditë që ju po pranoni titullin “Qytetar Nderi”, është ditë e shënuar për ne dhe jo rastësisht, me urimin për qytetar nderi, urojmë edhe Ditën e Ushtrisë së Kosovës, raporton Scanner.

Lladrovci ka përkujtuar se kjo ditë, ka edhe një dimension tjetër, atë të rikujtesës historike, dhe shkruan “Në këtë ditë, Komandanti Mujë Krasniqi me 41 luftëtarë, ranë heroikisht në fushën e nderit. Kur e kujtojmë Ditën e Ushtrisë tonë, duhet ta kujtojmë heroizmin e Komandantit legjendar Adem Jasharit”.Për shkak të gjatësisë së tekstit, ai ka përcjell në rrjetin social vetëm disa mesazhe nga fjala e rastit, si vijon:

Të dashur “Qytetarë Nderi”, Zoti Meidani, Zoti Moisiu, Zoti Topi,

Kjo ditë që ju po pranoni titullin Qytetar Nderi, është ditë e shënuar për ne dhe jo rastësisht, me urimin për qytetar nderi, urojmë edhe Ditën e Ushtrisë së Kosovës.

Në këtë ditë, Komandanti Mujë Krasniqi me 41 luftëtarë, ranë heroikisht në fushën e nderit.

Kur e kujtojmë Ditën e Ushtrisë tonë, duhet ta kujtojmë heroizmin e Komandantit legjendar Adem Jasharit.

Duhet ta kujtojmë heroizmin e Bekim Berishës, Zahir Pajazitit, Luan Haradinajt, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Agim Ramadanit dhe mijëra heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit.

Bashkë me aleatët fituam luftën, por pa Shqipërinë, kjo nuk do të arrihej. Kosova këtë nuk e harron.

Ju falënderoj në veçanti, që u gjendet pranë udhëheqësve tanë që sot janë padrejtësisht në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Askush më mirë se ju nuk i njeh liderët tanë. Ju e dini se ata kanë bërë luftë të drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare.

Askush më mirë se ju nuk i njeh vuajtjet tona për të arritur deri këtu me aleatët tanë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot, kur bota zien, kur veriu i Kosovës është temë e lajmeve globale, ju jeni këtu në mesin tonë, për të pranuar mirënjohjen tonë më të lartë që mund të japim, titullin “Qytetar Nderi”, titull që na bashkon.

Drenasi nuk është ndër komunat më të mëdha të Kosovës, por ne i kemi të mëdha sakrificat, të shumtë i kemi heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë.

Të shumta i kemi plagët, por edhe vullnetin për punë e përkushtim për qytetarët tanë.

Drenasi ka qytetarë atdhetar, krenar e dinjitoz, qytetarë kampion të qeverisjes së mirë në Kosovë dhe me performancë të shkëlqyer në qeverisjen lokale. Jemi në Drenicë, në zemrën e Kosovës”, ka shkruar Lladrovci.

View this post on Instagram

A post shared by Ramiz Lladrovci (@rlladrovci)