8.3 C
New York
Friday, March 29, 2024

Buy now

As sapunë e as çarçafë në disa klinika të QKUK-së

- Advertisement -

Dyshekë me shenja gjaku – disa të mbuluar me çarçafë e disa edhe pa ta.

Këtë pamje pa ekipi i REL në disa dhoma pacientësh të Klinikës së Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i cili qëndroi atje dy ditë në gjysmën e dytë të nëntorit.

“Dhe, nëse shkon në banjë me karrocë, nuk mund të hysh brenda, sepse dyert janë të ngushta. Aty nuk ka as letër, as sapun… Ne vetë duhet t’i blejmë”, tha një pacient i shtrirë në repartin e ortopedisë të kësaj klinike.

Disa pjesëtarë të stafit, që nuk deshën të identifikohen, pranuan se ka mungesa të gjësendeve – sipas tyre – të domosdoshme, dhe thanë se ato ua vështirësojnë punën.

“Nuk kemi as sapunë, as çarçafë”, tha një infermiere.

“Kirurgjia duhet të ketë çarçafë… [Pacientët] kanë rrjedhje të drenazhit, të qeses urinare… Nuk ka mundësi të ruhet një çarçaf, kur pacienti e ka gjithë atë drenazh”, tha ajo.

Në të njëjtat ditë, ekipa e mediumit vizitoi edhe Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, ku në disa dhoma pa situatë të ngjashme.

“Kur kemi ardhur këtu, krevati ka qenë pa jastëk e pa mbulesë”, tha Lule Dragusha, e cila po kujdesej për nënën e saj të shtrirë në këtë klinikë.

“Na kanë thënë se duhet t’i sjellim nga shtëpia. Nuk e kemi ditur se si shkon kjo punë dhe i kemi sjellë”, tha ajo.

Kryeinfermierja e Klinikës së Pulmologjisë, Dafina Ramaj, i mohoi këto pretendime.

“Nëse dikush nga pacientët dëshiron t’i ketë çarçafët e vet, mund t’i sjellë, por duhet të jenë të bardhë. Përndryshe jemi të furnizuar mjaftueshëm”, tha Ramaj për REL-in.

Në mes të nëntorit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) – përgjegjëse për inspektime të ndryshme sanitare në Kosovë – urdhëroi mbylljen e disa hapësirave në QKUK për shkak të, siç tha, mosplotësimit të kushteve higjienike-sanitare.

“Janë mbyllur këto hapësira: Klinika e Fiziatrisë, dy dhoma të Klinikës së Dermatovenerologjisë dhe reparti i oftalmologjisë”, konfirmoi Inspektorati Sanitar i AUV-it për REL-in.

Shërbimet e tyre janë bartur në klinika të tjera, derisa kushtet në hapësirat e mbyllura të përmirësohen.

Sipas AUV-it, në disa klinika të QKUK-së ka edhe “mungesë të ujit të ngrohtë dhe të mjeteve për higjienë personale”.

Si masa për rritjen e nivelit të higjienës, AUV-i, mes tjerash, kërkoi që të menaxhohet frekuentimi i vizitorëve në hapësirat e QKUK-së, si dhe të sigurohet ujë i ngrohtë aty ku mungon.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit