Lajmest-slider

49 gazetarë të vrarë, shumë tjerë nën pranga

“Gazetarët pa Kufij” në një përmbledhje vjetore mbi dhunën dhe shkeljet ndaj gazetarëve, të publikuar të marten, raportohet se gjithsej 49 gazetarë u vranë këtë vit, 389 janë aktualisht në burgje dhe 57 po mbahen peng.

Gazetaria, thuhet në raport, mbetet një profesion i rrezikshëm, por numri i gazetarëve të vrarë këtë vit është në shkallën më ulët në 16 vjet.

“Sivjet është shënuar numri më i vogël i gazetarëve të vrarë që nga viti 2003 dhe paraqet një rënie prej 44 për qind krahasuar me vitin e kaluar”, shkruan raporti.

Sipas organizatës, kjo rënie është rrjedhojë e faktit se ka rënë numri i gazetarëve të vrarë në zonat e luftës. Mbulimi i konflikteve në Siri, Jemen dhe Afganistan ishte më pak vdekjeprurës në vitin 2019 gjatë të cilit u regjistruan 17 gazetarë të vrarë, ndryshe nga viti 2018, kur 34 gazetarë ishin vrarë në këto tri vende.

Rënia e pashembullt e këtij numri, thuhet në raport, nuk duhet të lërë nën hije faktin se numri i gazetarëve në vrarë në vendet “në paqe’ vazhdon të jetë po aq i lartë sa edhe vitet e shkuara.

Në Meksikë janë vrarë 10 gazetarë, po aq sa edhe një vit më pare, ndërkohë që 14 gazetarë të vrarë janë në Ameriken Latine  po aq sa edhe Lindja e Mesme.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës, Christophe Deloire, tha se “gjithnjë e më shumë gazetarë po vriten me dashje në lidhje me punën e tyre në vendet demokratike, gjë që paraqet një sfidë të vërtetë për demokracitë ku këta gazetarë jetojnë dhe punojnë”.

Një aspekt tjetër shqetësues për organizatën është shtimi i numrit të arrestimeve arbitrare të gazetarëve. Gjithsej 389 gazetarë janë në burgje në lidhje me punën e tyre, rreth 12 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. Gjysma e tyre mbahen në burgje në Kinë, Egjipt dhe Arabinë Saudite. Ndërsa ka shtuar shtypjenndaj pakicës Ujgure, Kina është vendi që mban në burg një të tretën e gazetarëve të arrestuar në mënyrë arbitrare, përkatësisht 120 gazetarë të burgosur.

Aktualisht, sipas organizatës të paktën 57 gazetarë mbahen peng, po aq sa edhe një vit më parë, kryesisht në Siri, Jemen, Irak dhe Ukrainë. Sipas të dhënave të organizatës, 24 prej tyre mbahen peng nga grupi militant Shteti Islamik, 14 nga kryengritësit Houthi në Jemen, 13 nga Al Quaida, Hayat Tahrir al Sham dhe grupe tjera radikale dhe 6 mbahen nga grupe të paidentifikuara përfshirë edhe kryengritësit pro rus në Ukrainë (VOA).