Lajme

40 minuta në luftë me grupin e Radojiçiqit: Si ndodhi sulmi ku u vra polici Afrim Bunjaku sipas aktakuzës së PSRK

By GAZETA SCANNER

September 14, 2024

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pas gati një viti pas sulmit në Banjskë për 45 persona, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ku i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Por, si ndodhi ngjarja sipas aktakuzës së PSRK-së?

Një ekip i Policisë së Kosovës ishte nisur në drejtim të Kushtovës. Me të arritur në fshatin Banjskë, vërejnë se në urën në hyrje të fshatit, dy kamionë ishin vendosur duke bllokuar rrugën.

Dyshimet e para ishin se kamionët përdoreshin për kontrabandë, e pasi njoftuan Dhomën Komanduese, dy vetura të stacionit policor të Zveçanit erdhën si asistencë në vendin e ngjarjes, e me ta ishte edhe rreshteri Afrim Bunjaku.

Prita ishte përgatitur ashtu që ekipet policore të qëndronin në dritë derisa ambienti përreth ishte i errët. Urdhri erdhi të largohen kamionët nga rruga.

Derisa zyrtarët policorë po tentonin t’i largonin kamionët, ndodh një shpërthim në afërsi të rreshterit.

Bunjaku kishte marr plagë në fyt dhe kishte gjakderdhje të madhe. Në momentin që policët tentojnë ta tërheqin rreshterin, rreth 50 persona nga 20 pozicione, e disa në afërsi prej 10 metrave, fillojnë të qëllojnë pa ndërpre në drejtim të tyre.

Si kundërpërgjigje, edhe zyrtarët policorë shkrepin andej kah vinin predhat.

Në mënyrë që të dobësohet dukshmëria, policët e Kosovës qëllojnë ndriçimin e rrugës.

Policët e Kosovës arrijnë ta tërheqin rreshterin dhe me veturën që vazhdimisht qëllohej nga plumbat, nisen për Mitrovicë të kërkojnë ndihmë emergjente. Atje kuptohet se rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë.

Zyrtarët policorë kishin luftuar kundër të akuzuarve për terrorizëm për afro 40 minuta. /Betimi për Drejtësi