Këngëtarja e muzikës popullore, Shkurte Fejza, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se koncerti për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës po i jep një emocion të veçantë, marrë parasysh 50 vite karrierë.
Këngëtarja ka treguar se në koncertin që do të mbahet sonte (e shtune), do të këndojë live dhe se këngët e përzgjedhura i di edhe publiku.
“Sot koncerti është live dhe gjithmonë live e ka emocionin e vetë, kam emocione por po shpresoj shumë se do të kalojmë bukur. Është bërë një përgatitje e gjatë janë këngë të cilat i do dhe i di edhe publiku dhe shpresoj se do këndojmë bashkë dhe do krijohet një atmosferë e mirë”, tha këngëtarja.
Këngëtarja që frymëzoi shqiptarët me muzikën e saj, tha se ndihet e bekuar nga Zoti për mundësinë që i është dhënë të ketë 50 vite karrierë.
“Unë mendoj se jam e bekuar, po ndihem e bekuar prej Zotit për këtë mundësi sepse nuk është e lehtë janë 50 vite karrierë, janë 50 vite shumë të vështira gjithmonë me përballje emocionesh lot me gëzim dhe unë e falënderoj Zotin që kam mundësi të këndojë këngët e mija edhe në 50 vjetorin e karrierës time”, tha Shkurte Fejza.
Një falënderim të veçantë ajo e kishte edhe për publikun që për 50 vite i ka qëndruar pranë duke i dhënë vullnet të vazhdojë të punojë e sot të jetë një nga ikonat e muzikës shqiptare.
“Është publiku ai që më ka mbajt gjatë është publiku ai që më ka duartrokit janë të gjithë ata simpatizues mbështetës të këngës sime të cilët edhe I kanë dhënë jetën e gjatë karrierës sime po të mos ishte kështu nuk e besoj që do ta zgjasja 50 vite karrierë por është gjithë ajo dashuri gjithë ai respekt është admirimi duartrokitjet që ty të japin vullnet që të vazhdosh jam shumë mirënjohëse i falënderoj nga zemra që gjithmonë kanë qenë të gatshëm i dashtë këngët e mija dhe më me pranu mua si artiste”, ka thënë Shkurte Fejza.