KoronavirusiLajme

16 të vdekur nga COVID-19 në Viti dhe 69 raste aktive

Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka folur për situatën me COVID-19 në këtë komunë.

Haliti në një lidhje direkte në emisionin Special në Klan Kosova tha se situata në komunën e Vitisë po bëhet e menaxhueshme.

Ai paralajmëroi edhe rikthimin katër punëtorëve të stafit mjekësor që kanë qenë të infektuar me koronavirus.

“Për fat të mirë sot e kemi një rikthim të stafit mjekësor që kanë qenë të infektuar me COVID-19. Kemi pasur një rezultat të barabartë edhe të të infektuarve edhe të të shëruarve. Dalëngadalë e kemi një situatë të menaxhueshme në Viti por edhe në nivel vendi. Tani e kemi 69 numër aktiv. Të vdekur e kemi 16. Sot e morëm lajmin edhe për një pacienti. Dje nga aksidenti edhe nga sëmundjen e tjera i kemi pasur dje edhe dy raste, një rast në fshatin Goshicë edhe në Stubëll të Vitisë.

“Masat po respektohen edhe nga gastronomia, kafiteritë por edhe nga qytetarët. Ne për fat keq e kemi pasur edhe humbjen e jetës së një mjeku, që ka pasur edhe sëmundje të tjera alternative. Sot kanë rezultuar edhe dy punëtorë shëndetësor që nesër do të kthehen në punë. Por, edhe në sektorë të tjera kemi qenë të prekur edhe në polici ka qenë një situatë pak më e rënduar”.

I pari i Vitisë theksoi se vendimi për mënyrën e fillimit të procesit mësimor në shkolla i takon Ministrisë së Arsimit, kurse komunat i bëjnë përgatitjet e nevojshme për të filluar me mësimin.

“Është kompetenca ekskluzive e MASHTIT të merr vendim. Komunat i japin mendimet rreth fillimit. Komunat i bëjnë përgatitjet e shkollave, dezinfektimet, rivitalizmin e shkollave por edhe distancën, por vendimi i takon Ministrisë së Arsimit. Ne do t’i kryejmë obligimet tona por Ministrisë i takon ta kryejë pjesën e vet të detyrimit. Ne sot kemi pasur edhe një takim edhe me kryeministrin Avdullah Hoti dhe kemi diskutuar lidhur me mundësitë e fillimit të procesit mësimor”.

Gjatë 24 orëve të fundit Vitia ka regjistruar edhe 13 raste të reja.