Botë

11 mijë punonjës në grevë, bllokohen shërbimet komunale të Los Angeles

By GAZETA SCANNER 1

August 08, 2023

Më shumë se 11 mijë punonjës të qytetit Los Angeles kanë hyrë në grevë 24 orëshe, të martën, për shkak të siç thanë, praktikave jofer dhe kufizimeve që “komuna” po ua bën të drejtave të tyre.

Ky veprim ka afektuar menjëherë funksionimin e qytetit, duke përfshirë aeroportet, shërbimet sanitare dhe ato të trafikut rrugor e hekurudhor.

Prefektja e Los Angeles tha se përkundër grevës, qyteti nuk do të kollapsojë ndërsa konfirmoi se po punohet me sindikatat e punëtorëve.

“Punonjësit e qytetit janë vitalë për funksionimin dhe ofrimin e shërbimeve çdo ditë për miliona ‘angelenosë’, por edhe për ekonominë tonë. Ata meritojnë kontrata fer dhe ne po punojmë për këtë”, tha kryetarja Karen Bass, raporton Associated Press, përcjellë klankosova.tv. “Megjithatë, Los Angeles nuk do të mbyllet”.

Greva e punonjësve komunalë është e fundit që godet qytetin e dytë më të madh në Amerikë. Skenaristët e Hollywoodit janë duke mos punuar nga maji ndërsa atyre iu bashkuan edhe aktorët, një muaj më pas. Punëtorët e hoteleve kanë thënë se do të bëjnë greva gjatë gjithë verës, ndërsa më herët gjatë vitit edhe ata të shkollave kanë paralajmëruar pakënaqësi.