Galatasaray e ka mbrojtur titullin kampion në Superligën e Turqisë, duke mbledhur plot 102 pikë pas 38 xhirove.
Gara me Fenerbahcen ishte jashtëzakonisht e ngushtë, ku në rast që Galata s’do arrinte fitore ndaj Konyasporit sonte (e diele), atëherë Feneri do të shpallej kampion, meqenëse tuboi 99 pikë.
Megjithatë, Galata nuk ra në presionin e rivalit të përbetuar, duke triumfuar me rezultat 1:3 në udhëtim te Konyaspori.
Mauro Icardi si zakonisht i dha epërsinë Galatas me një gol të bukur pas një asistimi fantastik të Kohn (29’).
Dy skuadrat kishin raste për ta ndryshuar rezultatin, por që assesi s’ia dolën t’i konkretizonin rastet.
Argjentinasi doli sërish në skenë në pjesën e dytë, duke dyfishuar epërsinë pas asistimit të Lucas Torrerias (51’).
Ndërsa, vetëm dy minuta më vonë Kutlu mori një asistim nga Mertens për ta vulosur fitoren dhe siguruar titullin kampion (53’).
E tëra që bëri Konyaspori, ishte goli i nderit i shënuar nga Prip pas asistimit të Demir (78’).
Kështu, Galata e ruan titullin kampion në Turqi dhe njëkohësisht siguron pjesëmarrjen në kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Në këto kualifikuese, do të marrë pjesë edhe Fenerbahce si pozitë e dytë në tabelë.
Trabzonspor dhe Besiktas do të luajnë në kualifikimet e Ligës së Evropës, derisa Basakesehir në Ligën e Konferencës.
Golashënuesi më i mirë në Turqi prapë është Mauro Icardi, ku këtë sezon realizoi 25 gola, duke qenë para Edin Dzekos me 21 si dhe Rey Manajt që realizoi 18 sosh.